Pa kamera të fshehtë
Pas krismave vdekjeprurëse për një hije në rërë, asgjë smund të më mbante në plazhin e Malit të Robit, të braktisur tashmë edhe prej agjëruesve myslimanë nga Kavaja, Elbasani, Kosova, Maqedonia…
Sado afër Tiranës, deti Adriatik, me cektësinë e tij bojë balte e plehrat e zbërdhulur në rërë, nuk mund të kënaqë më nevojën e shpirtit për blu të kthjellët e të lëkurës për kripë të pastër.
Rrogozhinë e rrugës
Ndërsa me sytë e mendjes shihja bregun e detit Jon, drejt të cilit u nisëm, si me një xhirim të përshpejtuar, vështrimi ngutej të kalonte sa më parë peizazhet e asaj rruge: shpendë që shiten nën rrotat e makinës, motorë e biçikleta që barten frikshëm në bagazhin e shqyer të një benz-i, një veturë që prehet në katin e dytë të shtëpisë-depo të pambaruar, tezga me pjepra dimërakë, kumbulla importi, domate gjenetikisht të modifikuara, shalqinj Kavaje e karota Maqedonie, pirgje kanoçesh me ngjyra marramendëse si një instalacion fantastik arti, por, me çdukej, edhe biznes interesant. Dhe njerëz, njerëz që ngatërrojnë rrugët e pazarit të Rrogozhinës me aksin kryesor që vjen prej një autostrade në ndërtim për të shkuar drejt një tjetër autostrade në ndërtim, e bash për këtë, rruga devijon shpesh sa majtasdjathtas, pa sinjalizime të dukshme, veç jelekëve fosforeshentë të policëve të vaposur.
Lajmëronte fundin e Rrogozhinës një karabina e frikshme me beton të murrëtyer, pa emërtim e pa kuptim. Mbi fasadën e saj ku ndërtimi duhej të ishte prej kohësh në agjërim, ishte shpalosur një pankartë gjigante ku shkruhej Agjëro dhe ti! Muhamedi ka thënë: Xheneti ka tetë dyer. Në të gjendet një derë që quhet Rejan, në të cilën hyjnë vetëm ata që agjërojnë.
Lushnjë-Fier
Besoj se ky segment bën pjesë tek ato rrugë që në një farë mënyre të paqtojnë me pamjen fusharake të dy anëve të saj. Qarkullim kishte shumë pak, thua se ishte shkurt e jo korrik, e se nuk po shkonim drejt zonës më turistike të vendit. Natyrisht, aty-këtu nuk mungonin makinat me targa të huaja të emigrantëve të peshkuar nga policia rrugore.
Te ura e Mbrostarit na u desh të presim derisa një kamion i ngarkuar me material ndërtimi të mbaronte muhabetin, nisur kushedi se kur, me një furgon krismat që kishim lënë pas në Qerret më hoqën çdo ide të paudhë për ti rënë burisë a për tu folur shoferëve potencialë që ndodheshin brenda automjeteve Ja ku e gjetën fjalën dhe, ca duar u përshëndoshën nga dritarja në dritare e na liruan rrugën. Uf!
Unaza e Fierit pluhur Kandahari me ndërtesa të përçudnuara, të shëmtuara, të pista, ku smungojnë investime private, fantazia e të cilave nuk e kalon industrinë e pllakave, dhomave frigoriferike e pallateve shumëkëmbëshe. Kandahari i vërtetë vijonte më pas, nga dalja e Fierit deri te qafa e Koshovicës, ku ka guximtarë që vazhdojnë të hedhin beton hu më hu e degë më degë, mes tregjeve primitive të këpucëve prej kartoni, sytjenave sintetike, gomave të përdorura, mobilieve të pluhurosura e fidanëve frutorë dhe, natyrisht, si në çdo dalje a hyrje qyteti shqiptar, nuk mungojnë punishtet që prodhojnë gurë varresh, vazo guri, parmakë të gurtë, kokë luanësh e dragonjsh që Koçi i teto Ollgës do ti kishte përfshirë pa dyshim në koleksionin e tij të kuajve me çizme meksikane në komedinë Zonja nga qyteti.
Nëse u zgjata në këto detaje, ka edhe një arsye tjetër. Ky segment, deri në Levan, është aq copë-copë, saqë e vetmja mënyrë që tu shpëtosh zorrëve që të vijnë në grykë është të zësh mendjen me përsiatje sociologjike e kulturore, të cilat ushqehen nga çtë sheh syri në rrugëtim e sipër, përfshi këtu edhe zakonin mashkullor shqiptar, sipas të cilit burrat zbrazin rregullisht mëshikëzën e urinës, ku tu vijë e si tu vijë, duke u rreshtuar si gurë kilometrikë buzë rrugëve të atdheut.
Përurim rrugësh
Rruga e re Levan-Vlorë, një ditë para se të bëhej sefte: krahu ynë ishte i bllokuar sepse të nesërmen do të shkonte Kryeministri. Vozisnim në krah të kundërt me tabelat. Shoferët e zonës duket që ishin mësuar dhe e lëshonin gazin duke iu gëzuar asfaltit të ri. Të nesërmen bëmë të njëjtën rrugë natën. Kryeministri e kishte mbaruar përurimin. Kahu tjetër ishte hapur për makinat që vinin nga Fieri. Ndriçimi fosforeshent ishte shumë i mirë. Por, sinjalet e përkohshmërisë së qarkullimit brenda së njëjtës korsi me dy kahje, nuk ishin hequr. Brenda korsisë sonë, shoferët e zonës na vinin përballë në krah të kundërt si plumb e me dritat çakërr. Asnjë tabelë që të njoftonte hapjen e rrugës në të dy krahët nuk ishte vendosur. Asnjë polic, për be, deri në Fier nuk pamë. Udhëtuam me kujdes duke uruar që të nesërmen në lajme të mos dëgjonim aksidentin e radhës në atë rrugë. Sa pak kushton jeta në këtë vend, sa një moskokëçarje!
Megjithatë, nuk dua tia prish lezetin asaj rruge të mirë, jo vetëm se është e re. Peizazhi është i qëruar nga hekurat e betoni, të hapen sytë nga lugina e lumit Seman – peizazh që do ta gjeje kudo në një vend me mjedis fshatar të organizuar në harmoni me natyrën dhe ku vetvetiu të vijnë në gojë vargjet nostalgjike të pikturës poetike të Çajupit: … Fshati për karshi me kish e me varre, rrotull ca shtëpi, të vogëla fare…., ku kullosnin lopët e ku qiparisat ende hijezonin. Normal, do thoni ju. Po pra, po e keni vënë re që kur shohim diçka normale, magjepsemi?!…
Nejse, se mbase e teprova… e di që janë toka pa fund djerrë, të zotët e të cilëve kanë marrë arratinë në emigracion e ata që kanë ngelur merren me importin e kulturave bujqësore. Gjithsesi, kriporet janë plantacionet më të begata në ato nahije ku kripa zë më mirë se kallamboqi.
Vlora, Vlora!
Dhe më në fund: Ja Vlora, çuna! – do të thoshte ministri i sotëm i Mbrojtjes, veshur me uniformën e ushtarit të aktorit të filmit Ballë për ballë.
Qyteti nuk ka pamjen e përvitshme të sezonit ku do të duhej të gëlonin turistët. Çadrat e diellit, më së shumti bosh, kishin varur turinjtë. Por hotelet, trefishuar krahasuar me një vit më parë, të çorodisnin në emrat e tyre që çdo atlas bote do tua kishte zili: Coco-Bongo, Saint-Tropez, Brooklyn, Queen Elisabeth, Lucky Star, Montreal, Harley-Davidson… Pra, jemi në boshtin që lidh Vlorën me Radhimën, ku pallatet me dritare të kopsitura u tregonin detit përballë veç zbrazëtinë e tyre; të pabanuara? të pashitura? të palegalizuara? – gjithsesi pa jetë.
Në kodrat përtej Ujit të Ftohtë, fara e betonit ka qëlluar shumë pjellore, duke shkulur me soj e sorollop të gjitha agrumet si të ishin barëra të këqija. Në çdo udhëtim në gjirin e Vlorës nuk mund të mos e ndiesh çarkun në të cilin bie duke u zënë gafil midis një natyre/dielli/ajri/deti/ngjyrash shituese – të vetmet pasuri vërtet të patundshme, nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, njerëzve që po i tundin natyrës dhëmbë e dhëmballë, madje edhe ato që i kanë nën ujë e nuk duken. Më vjen ndër mend Vlora që rrëfen Blushi te Otelloja i tij në shekullin XIII. Në fakt, Vlora e Blushit nuk është vetëm Vlora. Por ajo është edhe Vlora. Sikurse është dhe gjithë Shqipëria. Thashë është dhe jo ishte. Po çfarë populli jeton aty? – kishte pyetur Otello duke parë se marinari mund tu përgjigjej edhe pyetjeve të tjera. Ata quhen shqiptarë, – kishte thënë marinari. Janë të zinj? – kishte vazhduar Otello. Marinari kishte qeshur fort dhe duke i kthyer kurrizin, kishte thënë: Edhe kjo u duhej atyre.1
Fusha e Dukatit, njësoj si lugina e Semanit, është ende e natyrës dhe jo e njeriut, rrethuar nga vargu i malit të Çikës, shyqyr që është aq i lartë e shyqyr që kemi shumë male e duken të papushtueshme nga ne njerëzit, gjithmonë të gatshëm për tiu qepur edhe atyre e për ti bërë po aq pjellore në hek
