E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndotjet

FATOS LUBONJA

Para disa kohësh, Televizioni Klan ndërmori një fushatë kundër plehrave që kanë pushtuar territorin shqiptar, që u duk se ishte në funksion të sezonit turistik e që përmbante edhe denoncime për komuna të caktuara. Peizazhi që shpalosej ishte dëshpërues: plehra, kryesisht në formë turrash me plastmase gjithfarëshe, qeska mbi të gjitha, ku dominojnë ato me atë ngjyrën blu të hapur të keqe dhe transparentja e pisët, shishe plastike, bidonë gjithfarësh që, duke u pleksur me llumin, pluhurin e gjithfarë kalbësirash e mbeturinash të tjera, vijnë e derdhen në bregdet pas një rrugëtimi të gjatë nëpër lumenjtë e tërë Shqipërisë, ku, gjatë rrugës, kanë takuar shoshoqet e tyre. Vende-vende ato as arrijnë të derdhen pasi pllakosin tërë anët e daljes së lumit. Pastaj plehra që dergjen rrugëve rreth e rrotull vendeve të banimit; plehra që shkarkohen nëpër rrëpira; plehra gjithandej. Dhe ne që jetojmë mes tyre pa na bërë përshtypje. Për të na rritur ndjeshmërinë, disa të huaj organizuan para disa kohësh edhe aksione, ku më spektakolari ishte ai i ca të rinjve suedezë që u vunë të pastrojnë plehrat në Lushnje ndërkohë që shqiptarët rrinin e i shihnin me habi; apo ai i disa amerikanëve në Tiranë me demek për të na vënë në sedër.
Por, duke udhëtuar nëpër rrugët e Shqipërisë këto ditë vere, mund të them se as kërcënimet e denoncimet e disa kryetarëve të komunave nga TV Klan dhe as vënia në sedër nuk ka funksionuar për të ndryshuar ndonjë gjë në peizazhin tonë plehror që vazhdon të mbetet tejet dëshpërues. Imazhi që të përçohet është se ne rrezikohemi nga plehrat; se ato kanë zaptuar gjithandej ambientin, jetën tonë, jo vetëm në kuptimin e shëmtimit të peizazhit urban apo natyror, të shëndetit, por edhe deri mbijetesën ekonomike. Pra plehrat janë bërë protagoniste kërcënuese të jetës sonë, duke na bërë ne viktima në vend që ato të jenë thjesht objekte të pastrimit tonë.
Për plehrat ekzistojnë edhe fjalë të tjera të afërta, si mbeturina, jashtëqitje, bajga, kalbësira etj., që kanë të përbashkëtën dhe të veçantën e tyre. Për shembull, qeveritarët tanë, veçanërisht kur i referohen ligjit që kanë aprovuar për ti sjellë ato nga jashtë për riciklim, meqë këtu brenda nuk i mbledhin dot, preferojnë fjalën mbetje, të cilën kanë filluar ta urrejnë të gjithë ambientalistët me të drejtë. Sipas meje, kur plehrat, mbeturinat apo mbetjet zaptojnë dhe kërcënojnë jetën e një komuniteti, atëherë ato kthehen në ndotje. Prandaj unë po preferoj të përdor kryesisht fjalën ndotje për to. Do të përdor këtë fjalë edhe pse ndotja është një fjalë që e tejkalon plehrat me qeska e shishe plastike. Flitet për ndotje akustike për shembull, dhe ne kemi një ndotje akustike skandaloze. Ashtu siç hedhim plehrat në vendin më të afërt jashtë pragut tonë, ashtu dhe ndërtojmë pranë shtëpive disko e lokale që të çajnë timpanet e veshit. Ashtu siç i hedhim qeset nga makina duke ecur, ashtu edhe e ngremë muzikën e saj në kupë të qiellit, pa pyetur për çka jashtë. Por flitet edhe për ndotje të ajrit për shembull, dhe mjafton të kalosh nëpër Tiranë, por edhe të shkosh në ato vendet nga Kruja e përtej, ku janë ngritur fabrikat e çimentove radhë, për të thithur me mushkëri ndotjen kërcënuese/vrastare. Flitet për ndotje industriale për shembull, dhe mjaft të kalosh andej nga Ballshi apo nga ish-Superfosfati i Laçit, për ti parë e për ti ndjerë efektet. Për ndotje urbane po ashtu, ku personalisht, krahas atyre që derdhen ku të munden rrugëve e rrëpirave, do të fusja edhe shëmtimet e vazhdueshme të peizazhit me ato ndërtimet monstruoze ricikluese parash që po shpërhapen si metastaza tumorale trupit të bukur të këtij vendi, gjysma e të cilave janë edhe në gjendje të pambaruar.
Pyetja që ngrihet është: Si ka mundësi që ne nuk arrijmë ta shohim e kuptojmë një gjë kaq të thjeshtë? Sa më shumë thellohem për ti gjetur përgjigjen kësaj pyetjeje, aq më shumë më duket se arrij në përfundimin se ndotjet që shohim e ndiejmë me shqisat tona janë thjesht e vetëm pamja e jashtme e një fenomeni që do ta quaja ndotja jonë e brendshme.
Të më lejojë lexuesi të bëj një digresion në kujtimet e shkollës së mesme, për ta shpjeguar se për çfarë e kam fjalën kur them ndotje e brendshme. Një nga kujtimet që kam prej asaj kohe ishte kur mësuesi im i Letërsisë, i ndjeri Rinush Idrizi, na komentonte Makbethin e Shekspirit duke tentuar të na shpjegonte mes të tjerash, edhe se çkuptim kishin magjistricat që i hedhin fall Makbethit duke i parathënë atij fatin. Mësuesi im i dashur përpiqej të na shpjegonte një shprehje të Nolit për to: Shtrigat, – na thoshte, – janë vizualizata e jashtme e impulseve të brendshme të Makbethit. Ne, që ishim ende fëmijë, e kishim vështirë të lidhnim pamjen e jashtme të magjistricave, që na dukej se ekzistonin vërtet, me kuptimin abstrakt që merrnin ato si pamje e dëshirave të brendshme të Makbethit. Ishin mësimet e para që merrja për metaforën që sot po rrekem ta përdor në këtë shkrim duke folur për ndotjet si metaforë.
E pra, duke parafrazuar këtë thënie të Nolit për magjistricat e Makbethit, do të thosha se ndotja që ne shohim, dëgjojmë, prekim, nuhasim e shijojmë me shqisat tona në trajtën e plehrave, mbeturinave, kalbësirave, bajgave, dioksinës etj., nuk është tjetër veçse vizualizata e jashtme e ndotjes sonë të brendshme.
E kam fjalën, për shembull, për ndotjen tonë morale. Shikoni çbëhet: të duket sikur jemi një popull që e ka të natyrshme – ashtu sikurse të hedhë plehrat nëpër rrugë – të pasurohet duke vjedhur, mashtruar, gënjyer, trafikuar, korruptuar e jo duke punuar me ndershmëri.
E kam fjalën për ndotjen politike. Shikoni çbëhet: nuk gjen dot një politikan që ti përmendësh emrin pa menduar se është i ndotur, e megjithatë emrat e tyre përmenden natë e ditë me respekt të madh – pale kur lëenë ndonjë koalicion e kalojnë në ndonjë tjetër!
E kam fjalën për ndotjen mediatike. Shikoni çbëhet: gazetat e televizionet, në vend që të informojnë e të investigojnë për ti shërbyer publikut, riciklojnë e ambalazhojnë ndotjet e politikës e të korrupsionit të pronarëve të tyre për tia shitur publikut, nëpërmjet gazetarësh/kamerierë që të paraqesin menynë të veshur me papion, si ushqim BIO.
Ndotje e Drejtësisë. Shkoni çbëhet me gjyqet dhe jo gjyqet e shumta që të bëjnë të mendosh se Drejtësia, në vend që të jetë fshesë e pastrimit të krimit, kullon krim e korrupsion vetë.
Ndotje në atë pikë sa, sikurse e thashë, nuk jemi ne që mund ta pastrojmë ndotjen, por është ndotja ajo që na pastron ne. A e dëgjuat Kryeministrin se si tha ditët e fundit? Se po u bë ndotje akustike, turistët nuk vijnë më. Por, po ta marrim ndotjen si metaforë, do të shohim se si nuk po ikin vetëm turistët nga ndotja akustike, por po ikin edhe shqiptarët (fizikisht apo nga mendtë e kokës) nga ndotja, ndotja, ndotja që ua ka zaptuar jetën gjithandej.
Shkurt dua të them se nuk ka shans që ne të pastrojmë plehrat e rrugëve pa pastruar ndotjen në rrugët tona të brendshme të trurit. Sepse fakti që ne krijojmë ndotjen në rrugën e përbashkët, në sheshin e përbashkët, në lumin e përbashkët, në parkun e përbashkët, në bukurinë e përbashkët, na buron nga e njëjta ndotje me të cilën kemi shkatërruar qytetet tona, bregdetet tona, malet tona, pyjet tona, politikën tonë, Drejtësinë tonë, gazetarinë tonë etj. Gjithë duke folur metaforikish për vizualizatën e jashtme të ndotjes sonë të brendshme, fatkeqësia është se prodhuesit më të mëdhenj të ndotjes po vazhdojnë të prodhojnë me egërsi të paparë ndotje duke e quajtur këtë, kur ua do nevoja, efekt kolateral të zhvillimit.
Në fakt, këta njëzet vjet ndotje kanë treguar se që ta kontrollojmë ne ndotjen dhe jo ndotja ne, duhet të bëjmë një ndryshim në ADN-në tonë kulturore, që vlen si për atë fshatarin në majë të malit që hedh pl

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›