E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg pa afat për bashkëpunëtorin e vrasjes së Rajmonda Kajës

SHKRUAN: Aleks Kalemasi 22-06-2011 11:21

DURRËS- Gjykata e rrethit gjyqësor në Durrës ka lënë në burg pa afat 26-vjeçarin Euxhen Muka, i cili akuzohet për vrasje me dashje në bashkëpunim të 29-vjeçares Rajmonda Kaja. Seanca e vlerësimit të masës së sigurisë është zhvilluar dje pas mesdite në gjykatë, ndërsa autori kryesor Lefter Keçi është shpallur në kërkim. Seanca është drejtuar nga gjyqtari i kësaj gjykate, Astrit Faqolli. Prokurorja e çështjes, Ornela Rrumbullaku, ka kërkuar që në fillim që gjykata ta vlerësojë të ligjshëm ndalimin e 26- vjeçarit Euxhen Muka, duke kërkuar për të si masë sigurie atë të arrestit me burg pa afat. Euxhen Muka u arrestua më 17 qershor, një javë pasi u gjet e vdekur Rolanda Kaja, në një kanal në rrugën Ishëm-Lalëz, rreth 40 km larg Durrësit. Prokurorja Ornela Rrumbullaku në fjalën e saj ka deklaruar se viktima Rolanda Kaja ka punuar për një kohë të gjatë në lokale të ndryshme në plazhin e Durrësit dhe kishte njohje me shtetasit Euxhen Muka dhe personin e shpallur në kërkim Lefter Keçi. Organi i akuzës ka bërë të ditur se në bazë të zbardhjes së tabulateve telefonike midis dy personave të akuzuar dhe viktimës, vërtetohet plotësisht se Euxhen Muka dhe Lefter Keçi kanë bashkëpunuar më njëri-tjetrin në vrasjen e shtetases Rolanda Kaja. Prokurorja ka shtuar se viktima, Rolanda Kaja, e divorcuar dhe nënë e dy fëmijëve, punonte kohët e fundit në një lokal në zonën e Plazhit, në Durrës. Djali i saj është marrë në kujdestari nga ish-bashkëshorti, kurse vajza e saj mbahej herë nga vetë Rolanda, herë nga prindërit e saj në fshatin Kryevidh të Kavajës. Denoncimi për zhdukjen e saj është bërë nga shtetësja Hajrie Xhameta, me të cilën ajo ka qenë shoqe e ngushtë, ndërsa edhe ajo është nga zona e Kavajës. Në lidhje me mbrojtjen e të akuzuarit, avokati Avenir Stërmasi është shprehur se masa “arrest me burg” është një masë shumë e ashpër, ndërsa ka shtuar se klienti i tij nuk është pjesë e krimit, por vetëm i njohur i viktimës. Avokati Stërmasi ka shtuar se nuk mund të flitet për një vrasje me paramendim në bashkëpunim, pasi ende nuk ka një raport nga instituti i mjekësisë ligjore për vdekjen e shtetases Rolanda Kaja. Në diskutimin e tij avokati e ka përmbledhur mendimin e tij rreth asaj se viktima mund të ketë vdekur për shkak të ndonjë sëmundje, apo mund të jetë një vetëvrasje, por jo një vrasje me dashje. I akuzuari për këtë ngjarje, Euxhen Muka, nuk ka thënë asgjë kur është pyetur nga drejtuesi i seancës, duke deklaruar se është dakord me ato që tha avokati i tij në lidhje me çështjen. Pas dëgjimit të palëve, trupi gjykues ka vendosur të pranojë kërkesën e prokurorisë, duke caktuar si masë sigurie për shtetasin Euxhen Muka atë të arrestit me burg pa afat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›