Pa përparim në negociatat me Iranin

Irani dhe fuqitë botërore zhvilluan për të dytën ditë me radhë bisedimet për programin bërthamor iranian.
Zyrtarët thanë se dita e parë e bisedimeve në Moskë nuk solli përparim, me të dyja palët që me sa duket nuk ishin të gatshme për kompromis.
Bisedimet midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Francës, Rusisë, Kinës dhe Gjermanisë, pasojnë rrethet e pasuksesshme të bisedimeve në Stamboll dhe Bagdad, në dy muajt e fundit.
Irani thotë se programi i tij bërthamor është paqësor dhe dëshiron që fuqitë botërore t’ia njohin të drejtën për të pasuruar uraniumin.
Irani gjithashtu ka kërkuar që Bashkimi Evropian ta shfuqizojë embargon për importet e naftës iraniane, e cila hyn në fuqi më 1 korrik.