NDI premton ndihmë të mëtutjeshme për Kuvendin

Kryeparlamentari Krasniqi e ka falënderuar presidentin Wollack për ndihmën që kjo organizatë ka dhënë në zhvillimin e Kuvendit të Kosovës, të institucioneve kryesore politike, reformimin e procesit politik si dhe ndihmën tjetër në gjithëpërfshirjen qytetare.
Ai theksoi se programet afatgjate për mbështetje Kuvendit të Kosovës, të financuara nga USAID-i dhe të implementuara nga NDI-ja, gjatë 11 viteve të fundit kanë qenë shumë me rëndësi në zhvillimin e Kuvendit, si institucioni më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës në vend.
“Duke qenë i vetëdijshëm që Kuvendi ka rrugë të gjatë për të bërë dhe mbështetja e partnerëve është shumë e rëndësishme për të përshpejtuar këtë rrugëtim”, ka thënë Krasniqi, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga zyra për informim e Kuvendit të Kosovë.
Nga ana tjetër, presidenti i NDI-së, Wollack dhe bashkëpunëtorët e tij, e cilësuan punën e Kuvendit të Kosovës, një shembull të mirë në rajon dhe më gjerë. Ata u zotuan për ndihmë dhe bashkëpunim të mëtejmë me Kuvendin e Kosovës.
Presidenti i NDI-së u interesua edhe për punën që është duke u bërë dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës, në mënyrë që edhe pesë shtetet anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë Kosovës, ta bëjnë atë.
Wollack, në fund të takimit, në emër të kryetares së bordit të Institutit Demokratik Kombëtar, Madeline Albright, ka ftuar kryeparlamentarin Krasniqi për të marrë pjesë në Kuvendin e Partisë Demokratike në Amerikë, në shtator të këtij viti, kur pritet edhe nominimi zyrtar nga kjo parti për presidentin e tashëm, Barack Obama, edhe për një mandat të ri katërvjeçar. /kosovapress/