E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa profesion, në pension dhe të vetëpunësuar

Lorina Mixha

Cigareshitësit 

Pas viteve 90 u gjendën pa mbështetje, tranzicioni i nxori në rrugë dhe pa përfitime

Lorina Mixha  

Medineja, Petro, Ahmeti dhe Fitimi, janë katër tregtarë të vetëpunësuar në rrugë. Shitës ambulant, cigareshitës apo sido mund ti quash, nuk është definicioni i saktë për të përshkruar ata dhe punën që bëjnë, sipërmarrjen që kanë.

Shesin paketa, gazeta, koko-bobo, koko-filka, karta rimbushëse për celularë e gjithçka tjetër që mund të tërheqë vëmendjen apo mund tu duhet kalimtarëve. Shami, peceta të lagura, çamçakëzë, patatina gjithçka që mund të dojë pasditeve një qytetar që ulen në lokal po ka harruar që ti blejë në dyqan apo supermarekt. Si të thuash, këta heronj të gjendur në rrugë janë zgjidhja më e shpejtë dhe më e zgjuar.

Para viteve 90 kanë qenë të punësuar në fabrika shtetërore, ndërmarrje që pas rënies së komunizmit u mbyllën e i nxorën të punësuarit në asistencë.

Medineja është 58 vjeç, në vitet 90 ishte rreth të 40-ave. Me kontributet e derdhura para periudhës së tranzicionit ajo mund të marrë vetëm një pension minimal. Duhet edhe dy vjet të dalë në pension, por çfarë mund të bëj me ato para, kam dy fëmijë një vajzë e një djalë, ata duan të ushqehen, të vishen të shkojnë në shkollë, thotë shitësja. Ajo rrëfen se këtë punë e bën me turne në kooperim me bashkëshortin, i cili bën ndonjë punë të vogël në një servis automjetesh. Fëmijët nuk parapëlqejnë të bashkohen me ta, pasi në zonë ku ata shesin shpesh kalojnë bashkëmoshatarët e atyre u vjen turp. Medineja, shet prej më shumë se 20 vjetësh në zonën e Selvisë.

Petro është rreth të 70-ve. Me kapelë republike, me flokë të bardhë, një burrë fisnik. Para viteve 90 ka punuar në Kombinat. Më pas për shkak se nuk ka gjetur mundësi punësimi, zgjidhi çështjen e fitimeve ditore duke u vetëpunësuar si paketashitës. Nuk ka shumë ngarkesë, një çantë e vogël mjafton për ti futur të gjitha brenda. Ndërkohë që ndryshe nga shitësit më të rinj, ai rri gjatë paradites dhe pasdites, jo në orare të vona dhe jo në vapën e madhe. Gjen trotuare të freskëta, duke nisur nga kryqëzimi i hotel Dajtit e deri tek universiteti.

Cigareshitësit e bëjnë furnizimin në pika shumice, dhe për çdo paketë të shitur apo kinkalerira të tjera fitojnë nga 2 mijë lekë në 5 mijë lekë. Më shumë fitojnë ata që rrinë natën, të rinjtë e ata që dalin e dëfrejnë, blejnë paketa, çamçakëzë, shami, thotë cigareshitësi. Ai tani nuk ka më fuqi të rrijë netëve, në vapë e në të ftohtë, po është i kënaqur nga puna. Sa të kem fuqi, këmbë e dorë do të dal, kam paratë e mia, e jotja të mban, thotë Petro.

Ahmeti, tani është 63 vjeç. Para rënies së komunizmit, ai jetonte në Lushnjë. Më pas në vitet e vështira iu desh të vinte në Tiranë. Me kontributet që ka derdhur nuk arrin të marrë një pension që ti dalë për të mbijetuar, prandaj shet paketa. Ka shitur më parë në Laprakë, vaj makinash, ka shitur te dollari telefona dhe karta për rimbushjen e telefonave. Një vajzë e ka të martuar, ndërsa djali punon kamerier, në një lokal te 21 Dhjetori.

Por edhe mes shitësve ambulantë janë krijuar edhe shtresa. Ata me më tepër fitime, kanë blerë rafte ku fusin larmi gjërash dhe mund të bëjnë disa herë furnizime gjatë ditës. Të tjerë janë të lidhur me klientelë, siç thonë ata.

Kemi 20 vjet që punojmë, jemi vendas, kjo punë është me klientelë, po ika unë të tjerë nuk do kenë të njëjtën punë siç kam unë, thotë Xoni, tiranas autokton. Ai shet në Tiranën e Re, paketa duhani, patatina, biskota dhe çakmakë. Fiton para në ditë të mira, me kohë të bukur. Në ditë me shi ose largohen ose qëndrojnë të mbuluar me qese, bashkë me mallin që mbajnë në tavolina lehtësisht të transportueshme.

Të vetëpunësuarit në rrugë, ata që shesin paketa, pa profesion, pa punë, por sipërmarrës të vegjël, siç i quan bashkia, fitojnë çdo ditë nga 2 mijë deri në 5 mijë lekë të vjetra mesatarisht. Të tjerët fitojnë edhe më shumë. Dalin herët në mëngjes, qëndrojnë 24 orë në punë. Netëve të ftohta të dimrit mbështillen me kartonë, gjejnë rrëza ku të mos u fryjë era, ditëve me shi mbështillen me plastmasë, ndërsa në kohë vape gjuajnë hijet.

Një shprehje e vjetër kineze thonë: çdo e mirë e ka një të keqe, çdo e keqe e ka një të mirë. Kështu është edhe me ambulantët, me heronjtë tanë, të rrugës. Kur inspektorët e policisë bashkiake vijnë ti përzënë, operacione të cilat nuk janë përsëritur kohëve të fundit, përsëri janë komodë. Inspektorët nuk mund ti gjobisin, nuk mund ti gjejnë për ti detyruar të paguajnë gjobën. Materialet që mund të sekuestrohen, mblidhen në një çantë dore, ndërkohë që janë të përjashtuar nga tarifat dhe taksat, vendore apo qendrore.

Xoni: Kemi 20 vjet që punojmë, jemi vendas, kjo punë është me klientelë, po ika unë të tjerët nuk do kenë të njëjtën punë

Edhe mes shitësve ambulantë ka ndarje klasore të kamur e të varfër

Fitimet - Çdo ditë një tregtar ambulant fiton nga 2 mijë lekë në 5 mijë lekë të vjetra mesatarisht. Ka mes tyre që fitojnë edhe 10 mijë lekë në ditë

Pajisjet - E një iniciative të tillë janë tavolina, çanta, plastmasë, kartonë, revista për të vrarë kohën, bukë dhe ujë me vete

Kontrollet - Një vit më parë tregtarët ambulantë, paketashitësit u përfshinë në aksionin e policisë bashkiake duke i larguar ata nga çdo cep i qytetit

Tranzicioni - Profesioni apo iniciativa e lirë për të shitur në rrugë, është pjellë e tranzicionit që nisi pas viteve 90, por që se dimë kur do të mbarojë

Pa profesion, në pension dhe të vetëpunësuar burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›