E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jemi nënçmuar

Paga e gjyqtarit në Kosovë është nënçmuese. Kjo nganjëherë edhe ka mundur të ndikojë që gjyqtarët të jenë të ndikuar nga politika. Fejzullah Hasani, kryetar i Gjykatës Supreme, mohon se politika ka ndikim në gjyqësor. Grumbullimi i numrit të madh të lëndëve që nuk janë zgjidhur, ai thotë se është pasojë e numrit të vogël të gjyqtarëve dhe prokurorëve Nga Express më 10 janar 2011 në ora 09:14

Mungesa e gjykatësve dhe prokurorëve e kanë bërë sistemin e gjyqësorit të jetë njëri ndër segmentet më të kritikuara në vend. Po ashtu si pasojë e kësaj gjendjeje, në sirtarët e gjyqësorit të Kosovës janë përafërsisht 240 mijë lëndë që presin zgjidhje. Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, fajin për këtë ia hedh numrit të vogël të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Ky numër i madh i lëndëve është për faktin se kur kemi filluar në vitin 2000, kur jemi funksionalizuar si gjykatë, ne kemi nisur me një numër ekstrem të vogël të gjyqtarëve. Deri më 9 qershor të atij viti, sipas statistikave, ishin duke punuar rreth 470 gjyqtarë dhe prokurorë, kurse ne kemi startuar me 300 gjyqtarë dhe 100 prokurorë”, thotë kryetari i Gjykatës Supreme në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Hasani shpjegon se ia kanë filluar të punojnë me një numër të vogël të njerëzve, ndërkaq kanë gjetur stoqe me lëndë të pakryera nga ish-sistemi, e të cilat është dashur që edhe ato të merren në dorë, sepse palët kanë pasur interes që ato ta marrin epilogun përfundimtar.

“Lëndët veç janë rritur, ndërkaq numri i gjyqtarëve është zvogëluar për 300-40 për qind”, tha Hasani. Sipas tij, gjatë gjashtë viteve 2001-2007, është një shpërputhje e madhe e ardhjes së lëndëve me numrin e gjyqtarëve. “Ne, sipas statistikave ekzakte që i kemi për vitin 2001- 2007, për 150 për qind është rritur numri i ardhjes së lëndëve, ndërsa diku 1.13 për qind është zvogëluar numri i kuadrit – pra, jo që s’është rritur, por është zvogëluar. Kjo është botërisht e ditur dhe janë statistika ekzakte që ne kemi vetëm 13 gjyqtarë në 100 mijë banorë, derisa rajoni ka 51, 40, 30.
Është një shpërputhje e madhe e numrit të gjyqtarëve në raport me ardhjen e lëndëve, thotë Hasani.

Kjo është situata e grumbullimit të lëndëve të vjetra. Por Hasani thotë se në këtë drejtim, në bashkëpunim edhe me USAID-in edhe me Këshillin Gjyqësor, kanë përpiluar një strategji për uljen e lëndëve të mbetura. Në krye të atij grupi punues është vetë Hasani, sipas të cilit, tashmë janë vërejtur efektet e para në drejtim të realizimit të strategjisë dhe uljes së numrit të lëndëve. “Megjithatë, sfidë edhe problem kryesor për ne paraqet ende numri i paplotësuar i vendeve të punës, sepse ne kot përpilojmë strategji, nëse nuk kemi njerëz që të merren me lëndët. P.sh. Podujevën e kemi me 2 gjyqtarë, Klinën me një gjyqtar, kemi shumë gjykata për kundërvajtje në një, domethënë të gjitha këto ndikojnë në mbledhjen e lëndëve të pakryera”, tha Hasani.

Kreu i Gjykatës Supreme flet edhe për riemërimet në Gjyqësor. Sipas tij, edhe pse ka përfunduar edhe faza e tretë e riemërimeve, kanë ngelur rreth 120 pozita të paplotësuara. “Tani Këshilli Gjyqësor ka shpallur një konkurs preliminar; po pret kuadro të reja, konkurrentë adekuatë për t’i plotësuar këto vende të punës. 120 vende në Gjyqësor janë shumë për një muaj për të qenë vakante, të paplotësuara, e të mos flasim se nga shkurti i vitit të kaluar ne jemi me këto vende vakante, plus kemi pasur lëvizje të gjyqtarëve nga një nivel në tjetrin, nga niveli komunal në atë të Qarkut”, tha Hasani.
Por ai shpreson se së shpejti do të plotësohen këto vende të punës.

Hasani sqaron se edhe në këtë drejtim ka lëvizje pozitive për faktin se 80 për qind e kuadrit nëpër gjykata komunale është i ri, e që është dashur kohë për të qenë funksional, ose për të punuar me kapacitet të plotë, për faktin se iu ka munguar përvoja, nuk kanë mundur qysh në start të punojnë me kapacitet të plotë.

Por Hasani mohon që politika ka ndikim te gjyqësori. “Unë flas për veten time. Në Gjykatën Supreme jam nga viti 2003. Nga shkurti i vitit 2010, jam kryetar i Gjykatës Supreme dhe unë s’kam përjetuar ndonjë moment që dikush të intervenojë ose në drejtim të interferimit ose ndikimit për zgjidhjen e një çështjeje – jo që edhe ne s’kemi pasur - edhe ne kemi pasur çështje sensitive, edhe ne kemi pasur lëndë, ngase nuk merret vetëm EULEX-i me ato lëndë, por merremi edhe ne, dhe unë flas që në atë ndikimin, në kuptimin e ngritjes së telefonit dhe sugjerimit se si të vendoset një çështje, kurrë s’kemi pasur”, thotë Hasani.

Por ai si një formë ndikimi konsideron edhe varshmërinë buxhetore, pasi që pagat e gjyqtarëve deri më tani kanë qenë nënçmuese.

”Një gjyqtar ka marrë 400 euro pagë. Këtë e kemi konsideruar njëlloj ndikimi, njëlloj mbajtjeje në varshmëri të Gjyqësorit, por nga 1 janari është bërë një rritje e ndjeshme e pagave, e cila është rregulluar me ligj dhe besoj që kjo çështje do të rregullohet”, thotë Fejzullah Hasani.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›