E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Paaftësia dëgjimore te fëmijët”

23/04/2010 Projekt me palën italiane për trajtimin e hershëm të sëmundjes

Të gjithë ne kemi një objektiv të vetëm: luftën kundër shurdhërisë dhe integrimin social të fëmijëve që nuk dëgjojnë. Deklarata është bërë nga kreu i dikasterit të shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë prezantimit të fazës së dytë të projektit që do të realizohet në bashkëpunim me palën italiane për trajtimin e hershëm të shurdhërisë te fëmijët. Sipas të dhënave, rezulton se në vendin tonë numri i fëmijëve që diagnostikohen me këto probleme është dy herë më i lartë se ai i regjistruar në vendet e tjera evropiane. Në ndryshim nga këto të fundit, Shqipëria ka shfaqur deri më sot mungesa të shumta në ndjekjen e terapive trajtuese për këtë kategori. Në Shqipëri, për çdo 1 000 të lindur, 2 janë hipoakuzikë (paaftësi dëgjimore) dhe kjo incidencë është 2 herë më e lartë se mesatarja evropiane. Pikërisht nga ky konstatim lindi edhe përgatitja e këtij projekti në bashkëpunim me strukturat mësimdhënëse dhe shkencore shqiptare. “Projekti i fondacionit “MAGIS”, që me kontributin e Kooperimit italian ofrohet të ndërhyjë sa më herët të jetë e mundur dhe me terapi të përshtatshme te fëmijët që nuk dëgjojnë, është një shembull bashkëpunimi në dobi të dy popujve tanë”, ka pohuar ministri Vasili. Në këtë projekt përfshihen dhe bashkëpunojnë ngushtësisht disa entitete shqiptare dhe italiane: institucione akademike dhe shërbime shëndetësore, si: Universiteti i Padovës, ai i Modenës dhe ai i Tiranës me disa departamente, katër maternitetet ku kryhet screening-u, instituti për fëmijët me paaftësi dëgjimore, qendra kombëtare e mirërritjes dhe zhvillimit të fëmijëve, profesionistë të ndryshëm nga të dy vendet, vullnetarë. Veprimtaritë e screening-ut për 18 muaj rresht u zhvilluan në katër maternitete: dy në Tiranë, një në Fier dhe një në Shkodër. Drejtorët ose shefat e shërbimit të neonatologjisë në maternitete përcaktuan infermieret, të cilat më pas u trajnuan nga specialistët italianë në teori dhe praktikë mbi rëndësinë dhe protokollin e screening-ut dhe përdorimin e aparaturave diagnostike OAE të ofruara nga projekti. Më tej u kryen ekzaminimet diagnostike të nivelit të dytë për neonatët e evidentuar si hipoakuzikë në maternitete, duke përdorur ABR, për potencialet e evokuara. Ky ekzaminim kryhet nga një specialist ORL, i trajnuar nga ekspertët italianë, pranë spitalit pediatrik në QSUT. Këto ekzaminime përsëriten, sipas protokollit, pas tre muajsh. Këtyre pacientëve iu morën masat për protezimin e mëpasshëm. Kjo është edhe hallka e fundit e një zinxhiri të tërë ekzaminimesh. Protezimi bëhet jo më herët se 8-10 muaj pas lindjes s foshnjës. Deri më sot janë marrë masat te 8 fëmijë. Gjashtë fëmijët e parë u protezuan në fillim të këtij viti.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›