E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paçalin Zef Pavaci: Takimi im me të madhin Lorin Maazel

Gazeta Shqip

I ftuar personalisht nga dirigjenti i famshëm Lorin Maazel, artisti me origjinë shqiptare, Paçalin Zef Pavaci, violinë e parë në Orkestrën e Fondacionit Petruzzelli të Barit, ndodhet në Virxhinia (SHBA) si violinë e parë e Orkestrës së Castleton Festival 2012.

Nga Albana Temali/ Bolonjë, Itali.

Duket një ëndërr, por në fakt është një realitet i vërtetë. Paçalin Zef Pavaci ndodhet këto ditë në Virxhinia të SHBA-ve, me ftesë personale të dirigjentit të famshëm Lorin Maazel, për të marrë pjesë në Festivalin e Castleton, si violinë e parë e orkestrës.
Një ftesë kjo, natyrisht, vlerësuese por njëkohësisht edhe një përgjegjësi e madhe për violinistin e talentuar shqiptar.
Duke mos pasur mundësi të shkojmë në Amerikë, mundësuam realizimin e intervistës sonë nëpërmjet e-mail, për të bërë të njohur edhe për lexuesin shqiptar përvojën unike, që violinisti Pavaci po kalon këto ditë në Castleton, pranë M° Lorin Maazel. Mund ta konsiderojmë këtë një përvojë brenda përvojës, që natyrisht do të lërë shenjë në jetën e Paçalin Zef Pavaci si njeri e si artist.

INTERVISTA
Besoj se takimi dhe ftesa me Mjeshtrin e Madh Maazel është jo vetëm një ngjarje e jashtëzakonshme për jetën tuaj artistike, por edhe për vetë muzikën shqiptare. Si keni arritur te kjo ftesë? Mos ndoshta kishit ndonjë njohje të mëparshme apo ishte një surprizë në kuptimin absolut të fjalës?

Paçalin Z. Pavaci: Krenar dhe njëkohësisht i emocionuar, që kam pasur një thirrje direkte nga Mjeshtri Maazel, sepse kjo nuk ndodh çdo ditë e po kështu jam krenar e shpresoj të përfaqësoj në mënyrën më të mirë të mundshme shkollën shqiptare të muzikës, meqë jam i vetmi shqiptar i pranishëm në këtë Festival.

Çdo ditë, këtu njoh personazhe të rëndësishëm të muzikës e të shfaqjeve, të cilët janë gjithnjë e më shumë të interesuar të dinë mbi vendin tonë. I fundit ishte Ingolf Turban, kunati i Maazel, i cili është edhe një nga violinistët më të mëdhenj e mjeshtër në Gjermani.

Unë kam filluar të punoj me Mjeshtrin që prej dhjetë vjetësh, qëkur interpretoja me Orkestrën e lavdishme të Filarmonisë A. Toscanini me të cilën kemi bërë disa turne bashkë në vende të ndryshme të botës. Jemi takuar vitin që kaloi, kur kemi interpretuar për 150-vjetorin e Bashkimit të Italisë, në Uashington, me Orkestrën e Teatrit Petruzzelli të Barit, ku unë jam violinë e parë. Këtë vit Mjeshtri ka ardhur dy herë të bëjë dirigjime në Bari. Ai ka dirigjuar Karmen e Berberin e Siviljes. Dy ditë pas Berberit të Siviljes, kam pasur telefonatën nga ai vetë personalisht, ku më pyeste nëse kisha dëshirë të isha violinë e parë në Festivalin e tij, në Castleton, Virxhinia. Nuk mund të përshkruaj gëzimin e madh dhe emocionin që pata, pasi kisha në telefon një nga talentet më të mëdhenj të shekullit të 21-të, një nga dirigjentët më të mëdhenj!

Po çështë Festivali i Castleton në Virxhinia?

Paçalin Z. Pavaci – Festivali i Castleton zhvillohet në gjithë terrenin e pronat e Maestros, një pronësi me 600 hektarë, me shumë ndërtesa dhe vila. Ai ka vënë në dispozicion të gjitha këto hapësira për festivalin. Mund të them se është një përvojë e madhe, të bësh muzikë në mes të natyrës. Prona kufizohet me një Park të Madh Kombëtar të Virxhinias. Orkestra është me instrumentistë të rinj, të vlefshëm dhe mua më bie detyra të punoj për formimin e tyre. Mjeshtri i ka shumë për merak talentet e reja, i stimulon ato, i mbështet dhe ju bëhet udhëzues.

Në këto ditë, keni marrë pjesë në disa audicione. Natyrisht janë përvoja, që ju mundësojnë një vlerësim e një krahasim eksperiencash. Cili është mendimi juaj për to?
Paçalin Z. Pavaci – Kemi bërë audicione për më shumë se 60 instrumentistë. Të jesh në të njëjtin komision me Mjeshtrin Maazel e vetëm gjysmë metri distancë me të është emocionuese e aq më tepër të shkëmbesh opinione e gjykime e përzgjedhje për disa produksione. Besim i madh tek unë nga ana e tij, dukë më lënë carta bianca për të pozicionuar rreshtat e instrumenteve me harqe.
Mjeshtri Maazel dëshiron të njohë personalisht të gjithë. Audicionet janë zhvilluar në studion e tij, ku ndodhet edhe gjithë biblioteka e tij muzikore.
Dy fjalë për eventet dhe në veçanti për rolin tuaj…

Paçalin Z. Pavaci – Jam violinë e parë për operat (Karmen, Berberi i Seviljes e Bohemë) dhe për tri koncertet simfonike (koncerti i hapjes gala me muzikë të autorëve italianë, simfonia e parë Mahler dhe e Nënta e Beethoven), të gjitha këto në më pak se 20 ditë. Puna është shumë e artikuluar. Në fazën përgatitore ka ndodhur të provojmë në mëngjes një koncert simfonik dhe pasdite një opera. Për mua është shumë impenjative, por duke llogaritur që në gjashtë produksione do të jem i drejtuar nga Lorin Maazel, çdo lodhje harrohet. Mjeshtri më ka kërkuar të bëj edhe provat, të cilat i kam drejtuar unë në seksione si master-class i formimit orkestral për të rinjtë.
Ka përfunduar java e parë e spektakleve. Si u pritën nga publiku?

Paçalin Z. Pavaci Gjithçka ka shkuar shumë mirë. Në mbrëmjen Vip, pas koncertit, dirigjenti Maazel më ka përgëzuar para 100 personave. Ka pasur edhe standing ovation.

Po orkestrantët, organizatorët?

Paçalin Z. Pavaci – Janë të gjithë entuziastë! Tri programe të ndryshme në ditë të dirigjuara nga Mjeshtri Maazel: një mrekulli e vërtetë!

Po ju vetë jeni i kënaqur?

Paçalin Z. Pavaci – Jam shumë i kënaqur! Sot në koncertin e tretë publiku, i cili kishte ndjekur edhe dy koncertet më përpara, më priti me duartrokitje sapo hyra në sallë. Jam në mes të muzikantëve të Metropolitan e New York Philarmonic, të cilët më kanë mbuluar me komplimente.

Paçalin Zef Pavaci: Takimi im me të madhin Lorin Maazel burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›