E Diel, 1 Nëntor 2026

Pacientët vlerësojnë shërbimin në kardiokirurgji dhe kirurgjinë vaskulare në QSUT

TIRANË, 12 tetor /ATSH/ Pacientët e Shërbimit të Kardiokirurgjisë dhe Kirurgjisë Vaskulare në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” vlerësojnë kujdesin e stafit mjekësor, kushtet spitalore dhe përkushtimin e personelit gjatë trajtimit.

Në dëshmitë e tyre, pacientë të shtruar nga qytete dhe zona të ndryshme të vendit shprehen të kënaqur me shërbimin e marrë, duke veçuar profesionalizmin e mjekëve, infermierëve dhe stafit të reanimacionit.

Teuta Xhuka, 70 vjeçe, e shtruar prej 14 ditësh, e cilësoi shërbimin “të mrekullueshëm”, duke shprehur mirënjohjen për kujdesin e treguar nga personeli shëndetësor.

Edhe Spiro Morava, banues në Tiranë, i cili tregon se është shtruar për herë të dytë, vlerësoi kushtet e spitalit dhe shërbimin e marrë.

“Është hera e dytë që shtrohem. Kushtet, si të spitalit të vjetër, edhe këtu shumë të mira. Edhe shërbimi i shkëlqyer, edhe gatimi shumë i mirë, edhe fëmijët, edhe doktorët, edhe çupat e reanimacionit atje të shkëlqyera, të papërtuara”, u shpreh ai.

Ndërsa Havas Efa, nga fshati Allkaj i Lushnjës, e shtruar për shkak të një infeksioni në këmbë, shprehu shpresën për një përfundim të suksesshëm të trajtimit, duke falënderuar stafin mjekësor.

Kujtim Dushaj, nga Shkodra, vlerësoi përkushtimin e mjekëve dhe punën e tyre me pacientët.

“Mjekët janë absolutë. Merren me këtë punë me zemër. Për mua kanë lënë përshtypje të mira”, u shpreh ai.

QSUT vijon të ofrojë shërbime të specializuara për pacientët, me synimin për të garantuar kujdes shëndetësor të mbështetur në profesionalizëm, përgjegjësi dhe humanizëm.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›