Pack: Opozita maqedonase, e ngjashme me atë shqiptare

Qëndrimi i opozitës shqiptare duket se është përdorur edhe nga opozita e vendit fqinj Maqedonisë. Të paktën i këtij mendimi është eurodeputetja gjermane, Doris Pack. Në një mesazh për klasën politike maqedonase e publikuar nga agjensia e lajmeve “Ina” eurodeputetja Pack ka bërë paralele me opozitës shqiptare dhe asaj maqedonase.
“Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, por edhe kolegët e saj në Shqipëri nuk punojnë në interes të vendeve të tyre. Rezultati i vetëm nga protestat e tyre në rrugë shtojnë dyshimet tek Bashkimi Evropian se vendet e tyre nuk janë të afta për të përmbushur standartet evropiane. Kjo sjellje është e papërgjegjshme. Në vend se në rrugë, ata qëndrimet e tyre duhet t`i mbrojnë në Parlament”, thekson Pack.
Pack nënvizoi se Maqedonisë i duhet Parlament funksional, për shkak se kanë mbetur shumë punë pa u përmbyllur në fushën e legjislativit, ndërsa sipas saj, populli i këtij vendi e meriton një demokraci funksionale parlamentare.
Ajo ka mbrojtur vendimet e institucioneve të Maqedonisë lidhur me rastin e ngritjes së akuzave ndaj televizionit A1.
“Nuk bëhet fjalë për shkelje të lirisë së mediave nga ana e qeverisë, por për procedurë normale gjyqësore kundër pronarit të këtij televizioni dhe firmave të tjera për shkak të dyshimeve për mashtrim dhe fshehje të tatimeve prej miliona eurove”, theksoi kryetarja e Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Doris Pack, duke i bërë thirrje opozitës që të rikthehet pranë institucioneve.