Pacolli: Austria mbetet mike e vërtetë e Kosovës

“Austria gjithmonë ka qenë mike e jona dhe ka mbetur mike e vërtetë e Kosovës. Kontributi i Austrisë për vendin tonë është shumë i madh dhe ne e vlerësojmë shumë këtë”, tha Presidenti i Kosovës, Behxhet Pacolli gjatë një takimi me ambasadorin e Austrisë, Johann Brieger.
Pasi përkujtoi një varg fushash në të cilat Austria ka dhënë një ndihmesë shumë të madhe, duke veçuar këtu ndihmën në fushën e arsimit të lartë, presidenti Pacolli theksoi se Kosova ka nevojë të përfitojë nga ndihmat dhe përvojat austriake në shumë fusha.
Sipas nje deklarate të lëshuar nga Presidenca, edhe në këtë takim, Pacolli foli për projektet e Kosovës për rritjen ekonomike dhe sidomos për krijimin e ambientit për ardhjen në Kosovë të sa më shumë investitorëve nga Austria.
Ambasadori Brieger, në emër të tij dhe të presidentit austriak, Fisher, uroi Pacollin për zgjedhjen në postin e Presidentit të Republikës. Ai përmendi bashkëpunimin e vazhdueshëm të mirë mes Austrisë dhe Kosovës, në shumë fusha, bashkëpunim ky që sipas tij ka dhënë frytet e veta, por edhe e ka forcuar edhe më miqësinë mes dy shteteve.
Në planin ekonomik, ai shfaqi shpresën se në të ardhmen do të ketë edhe më shumë biznese austriake që do të shtrijnë investimet e tyre në Kosovë, edhe pse numri i bizneseve të këtij shteti që zhvillojnë aktivitet në vendin tonë nuk është i vogël.