Ashton përshëndet fillimin e dialogut Serbi-Kosovë

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, përmes një deklarate të lëshuar sot nga zyra e saj, përshëndet nisjen e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, i cili do të zhvillohet sot e nesër në Bruksel.
“Përfaqësuesja e lartë beson se tashme është koha e duhur për të nisur dhe është e bindur se Beogradi dhe Prishtina mund të gjejnë rrugë praktike për të siguruar që jeta e rëndomtë mund të vazhdojë si duhet, thuhet në deklaratën e zyrës së Baroneshës Ashton.
“Zgjidhja e problemeve me dialog është rrugë evropiane, ndërsa qëllimi i bisedimeve është të promovohet bashkëpunimi dhe Prishtina ashtu edhe Beogradi t`i afrohen BE-së".
Përfaqësuesja e lartë nënvizon se dialogu është një rast i mirë për të dyja palët, si per Beogradin ashtu edhe Prishtinën”, thuhet në këtë deklaratë, të lëshuar pak para nisjes së dialogut, në të cilën shtohet se diskutimet do të përqendrohen rreth tri temave: bashkëpunimit rajonal, lirisë së lëvizjes dhe sundimit të ligjit, që të gjitha me rëndësi vendimtare për perspektivën evropiane.