Pacolli: Bashkimi të nisë me hapësirën e përbashkët ekonomike
Për Presidentin e ri të Kosovës, Behgjet Pacolli, Shqipëria dhe Kosova duhet të nisin nga ekonomia, pastaj vijnë realitetet e tjera. Në një intervistë ekskluzive për Panorama, Kreu i Shtetit kosovar flet për profilin e tij njerëzor, akuzat e shtypit ndaj tij dhe për marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë.
Si ka qenë muaji i parë i aktivitetit tuaj në krye të shtetit më të ri në botë?
Së pari, më lejoni të përshëndes vëllazërisht lexuesit e gazetës më të madhe shqiptare Panorama, me rastin e vizitës sime të parë në Shqipëri.
E gjithë periudha njëmujore e aktivitetit ka qenë e ngjeshur. Duhet të kryeja një cikël takimesh të para me të gjithë institucionet e varësisë, dhe pastaj takime të tjera protokollare. Por, mbi të gjitha si njeri i punës që jam, së bashku me stafin tim kam kryer disa veprimtari shumë angazhuese, shumë sfiduese jashtë veprimtarisë protokollare. Besoj, ia kemi arritur të krijojmë bindjen se Presidenca e Kosovës do jetë aktive, do të përballet me komplekset rreth saj, dhe se do të tregojë gjatë gjithë mandatit harmoni me institucionet e tjera, por dhe pavarësi prej tyre.
Diçka për profilin tuaj njerëzor. Kush është Behgjet Pacolli? Rinia, familja, biznesi.
Shikoni, jeta ime është një libër i hapur, jo thjesht në pikëpamje metaforike. Unë kam ditur të përballem me të kaluarën time, në mënyrën më të sinqertë të mundshme. Libri im autobiografik që ka dalë kohët e fundit dhe në libraritë e Tiranës e të gjithë Shqipërisë, pa modesti më duhet të them se është ndoshta përballja më e plotë e dikujt në jetën tonë publike në Kosovë me të kaluarën e vet. Dhe më besoni se ndihem shumë mirë që e kam bërë këtë. I kam besuar gjithmonë sinqeritetit si vlerë që ma kanë mësuar të parët e mi dhe bilanci im jetësor më rezulton diçka për të cilën duhet të krenohem. Nëse do më duhej tia nisja jetës dhe njëherë nga e para, do ta jetoja saktësisht siç e kam jetuar deri më tash. Kam qenë një i ri që vinte çdo javë nga provinca në udhëtime të gjata në këmbë në gjimnazin e Prishtinës. Por isha plot vlera, plot energji, dhe kjo energji më shtohej edhe më shumë, megjithë punët e rënda që kryeja në fshatin tim të lindjes, Marec. Kam përshtypjen se me rezultate të shkëlqyera në universitete perëndimore dhe në përgjithësi me rezultatet në jetën time të mëpastajme, ia arrita të mundja moshatarët e mi të asaj kohe, që vinin prej aristokracisë qytetëse të Prishtinës. Them kushtimisht- i munda, në kuptimin se përbuzjes së tyre për varfërinë time, iu përgjigja me suksese dhe të arritura reale në jetë. Dikush vëren me një lloj cinizmi shqipen time që ka mbetur për shumë anë, e njëjta me atë të kohës kur lashë Kosovën, por asaj shqipeje i kam përngjitur shumë gjuhë të huaja, që i kam mësuar rrugëve të jetës sime të pasur. Zgjodha marketingun si degë studimi, por hodha rrënjë në biznesin e ndërtimit, pas një eksperience të parë në tregun botëror të makinave tekstile. Lashë atje pa copyright një formulë timen për prodhimin e tekstileve me ndihmën e informatikës dhe iu përkushtova ndërtimit si një zeje e përbotshme që lë gjurmë të përjetshme për brezat. Kam ndërtuar kudo, nga ish-vendet sovjetike në SHBA, në Peru, në Kinë, kam themeluar qytete dhe jam rob i botës, i globalizmit. Por, më në fund jam kthyer nga ia nisa, në Kosovë. Dikush thotë se njeriu kërkon tërë jetën rrugëve të botës diçka që i nevojitet, dhe më fund kthehet dhe e gjen në shtëpinë e vet.
Shtypi i Shqipërisë ka botuar kryesisht artikuj apo komente të gazetave të Kosovës rreth jush, në lidhje me të kaluarën tuaj. A keni ndonjë shpjegim për to?
Plotësisht e vërtetë dhe më duhet të them me keqardhje, se megjithëse jemi vëllezër të një gjaku, në kohët tona të mediave të realtime e njohim shumë pak njëri-tjetrin. Mediat respektive e mbulojnë veprimtarinë e shoqërive tona tek rubrika e ngjarjeve nga rajoni.
Në lidhje me shkrimet mbi personalitetin tim, vlen shumë kjo që thoni ju, se përgjithësisht këtu gazetat u janë referuar artikujve të njërës gazetë të Kosovës. Do doja të citoja një diplomat të shquar të Shqipërisë, Besnik Mustafajn, që tek gazeta juaj para disa ditësh thoshte në mënyrë ironike se e kemi njohur mjaft mirë anën njerëzore të zotit Pacolli… dhe se do të ishte një ushtrim i padobishëm për cilindo, ripërtypja mediatike e gjërave të thëna e të stërthëna për të. Mendoj se ai e ka shprehur në mënyrë mjaft elokuente atë që ka ndodhur me mua, atë që ka bërë një pjesë e shtypit tonë në Prishtinë, apo këtu. Po ti shtojmë këtu dhe faktin se rastësisht ose jo, këta artikuj kanë pasur referenca nga shtypi rus, nga shtypi serb dhe ndonjëherë nga shtypi perëndimor, atëherë thirrja ime që ne ta njohim më mirë njëri-tjetrin nëpërmjet një mbulimi mediatik serioz, është më e domosdoshme. Dua tju pyes juve ndërkaq: a besoni vërtet se portreti im real është ky që vjen prej sublimimit apo ripërtypjes aktuale të këtyre artikujve? Sjam vërtet kaq elokuent sa zoti Mustafaj, i cili diku në artikullin e vet thotë se kritizerët e tij të shumtë i kanë ende orët të kurdisura, kryesisht në të kaluarën parapolitike të Behgjet Pacollit. Dmth, shumë mbrapa.
Le të themi diçka për Kohën Ditore. Në të vërtetë, unë i çmoj shumë aftësitë intelektuale të zotit Surroi dhe grupin mediatik që ai ka ngritur, e çmoj shumë rolin pionier të kësaj medie, madje në rrafsh kombëtar. Jam trishtuar pak, sepse disa gazetarë nga ky grup në periudhën para zgjedhjes sime President, njësoj sikur në zgjedhjet e 2007, kanë botuar vetëm artikuj kritikë, duke më pasur mua target në gjithçka, duke nxirë gjithçka të personalitetit tim, të familjes sime, të punës sime. Atje janë botuar vetëm komente, mbështetur kryesisht mbi tituj gazetash, që jo rrallë unë kam përtuar apo sia kam dalë ti përgënjeshtroj plotësisht. Por, tash më vjen mirë, pasi më duket që diçka ka ndryshuar. Ata po mbulojnë përgjithësisht në mënyrë korrekte aktivitetet e Presidencës. Më vjen mirë të citoj sërish, zotin Mustafaj, që është siç më kanë thënë, mik i zotit Surroi, dhe të cilin unë nuk e kam njohur kurrë më parë: Me bataretë e tyre ata mund të destabilizojnë sadopak Presidentin Pacolli, sidomos e kanë të lehtë ta destabilizojnë një President fillestar, por nuk e delegjitimojnë dot atë… tërthorazi dëmin më të madh ia bëjnë vendit, duke ulur a priori cilësinë e punës së Kryetarit të Shtetit. Megjithatë, duhet ta përgënjeshtroj zotin Mustafaj: a priori dhe mund ta ulin mediatikisht cilësinë, por faktet flasin ndryshe. Veprimtaria ime si president, në këtë muaj të parë ka gjetur një konsensus në rritje të popullit të Kosovës.
Si do ti konsideroni diskutimet dhe iniciativat e opozitës në lidhje me procedurat e zgjedhjes suaj?
I quaj plotësisht të drejta, megjithëse deri diku të shpërpjesëtuara, sa i takon cenimit në ndonjë rast të personalitetit tim prej ndonjë politikani. Pse i quaj të drejta? Duhet ta pranojmë se institucionet tona zgjidhen, funksionojnë në një bazë ligjore dhe kushtetuese tërësisht të re dhe, me siguri, brenda këtyre rregullave ka boshllëqe që duhen mbushur me amendamente. Këto diskutime, këto iniciativa do të shërbejnë që të vërehen më mirë këto boshllëqe për shembull në rastin e zgjedhjes së Presidentit etj, etj.
I konsideroj të shpërpjesëtuara reagimet ndaj meje, për arsyet që i thashë më sipër, sepse shpesh ndonjë politikan më ka kritikuar mbi bazë të raportimeve apo komenteve tendencioze, si në një rreth vicioz. Dua të shtoj se unë në aktivitetin tim partiak të mëhershëm kam qenë thellësisht konstruktiv, rob i pikëpamjes se Kosovës që i duhej stabilitet në momentet e para të themelimit të shtetit të vet. Ne nuk kemi për shembull luksin të kemi një mjedis politik polemik si Shqipëria, ku demokracia është mjaft e gjallë dhe vibrante. Ndërkohë, një