Pacolli: Thaçi e Mustafa përgjegjës për marrëveshjen

Behgjet Pacolli nuk është i preokupuar shumë për respektimin e marrëveshjes për zgjedhjet e parakohshme presidenciale dhe parlamentare, në të cilën e ka vënë vetë firmën, para një viti, bashkë me liderin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Presidenti i Aleancës Kosova e Re, i cili njëherësh është edhe zëvendëskryeministër i Kosovës, ka thënë për gazetën “Koha Ditore”që marrëveshjet duhet të respektohen, por në fund të fundit do të bëhet ashtu siç vendosin Thaçi dhe Mustafa, si liderë të dy partive më të mëdha. Megjithashtë ai thekson se nuk ka dijeni për ndonjë marrëveshje mes tyre për shtyrje të zgjedhjeve.
“Marrëveshjet që kanë kaluar në Parlament duhet të respektohen për arsye se është shumë keq nëse qytetarët shohin që dikush nuk e mban e fjalën. Unë jam partneri i tretë i kësaj marrëveshjeje, por nëse dy partnerët e tjerë kanë rënë dakord verbalisht për t`u shtyrë zgjedhjet, për të cilën unë nuk e di, atëherë sigurisht që zgjedhjet duhet të shtyhen. Tek marrëveshjet e politikanëve të Kosovës unë kam filluar ta humb besimin, dhe mua personalisht kjo më intereson pak, duke e parë vetë fuqinë politike që partia ime ka, e që nuk mund të ndryshojë gjërat” ka theksuar Pacolli.
Pacolli ka treguar edhe për angazhimet e tij për njohjen e pavarësisë së Kosovës. “Unë jam duke e shtyrë përpara një mision të rëndësishëm, jam duke u munduar që t`ia siguroj Kosovës atë që kam premtuar, mbi njëqind e më tepër njohje, për të cilën shumë shpejt do ta kryej”, ka thënë ai.
Për shtyrjen e zgjedhjeve në vitin 2014, ka folur kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i cili është edhe njëri nga tre nënshkruesit e marrëveshjes së prillit të vitit të kaluar.