E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi i ri Penal, gazetarët kosovarë protestë para Kuvendit

PRISHTINË- Gazetarët e Kosovës do të protestojnë të hënën para Parlamentit të Kosovës, të indinjuar me miratimin e Kodit të ri Penal të Kosovës, i cili sipas tyre cungon lirinë e shprehjes, raporton Kosovapress. Në njoftimin e Asociacionit të Gazetarëve Profesionist të Kosovës bëhet e ditur se protesta do të fillojë në ora 11:15. 

“Protesta ka për qëllim kundërshtimin e Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës, me anë të të cilit gazetarët bëhen përgjegjës për vepra penale dhe obligohen që të zbulojnë burimet e tyre",-thuhet në komunikatën e Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës. 

Që nga ora 11:30, në kohëzgjatje prej 15 minutash, protestuesit do të qëndrojnë në heshtje para legjislativit që me anë të votës së tyre përdhunuan deri në këtë masë lirinë e shtypit”, thuhet në thirrjen e AGPK-së. Me anë të protestës, kërkohet nga Presidentja e Kosovës që të mos e nënshkruajë Kodin Penal përderisa i njëjti përmban nenet 37 dhe 38.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›