E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacolli: Unifikim ekonomik mes Shqipërisë e Kosovës

TIRANE- Ish-presidenti Behxhet Pacolli, aktualisht zv/kryeministër i qeverisë së Kosovës rikthehet brenda pak muajsh në Tiranë për të ridiskutuar me politikanë dhe akademikë shqiptarë nismën e tij për krijimin e një hapësire të përbashkët ekonomikë Shqipëri-Kosovë.

Sipas Pacollit një nismë e tillë mbështetet edhe nga organizmat europianë dhe në thelb konsiston në heqjen e barrierave kufitare, administrative, për një shfrytëzim më të mirë të kapaciteteve njerëzore në të dy anët e kufirit.

“Ne na nevojiten dy kryeqytete, ne na nevojiten 2 administrata të forta përballë konkurencës së madhe të shteteve të rajonit pjesë në BE. Dikush mund të mendojë se ne jemi duke krijuar një Shqipëri të Madhe, por ajo krijohet jo duke bashkuar administratat, por duke bashkëpunaur, duke pasur ide të njëjta si në ekonomi, e fillojmë nga unifikimi i teksteve shkollore etj”, - tha Pacolli.

Deklaratat e Pacollit i bëri gjatë forumit politiko-akademik organizuar në bashkëpunim nga Universiteti Europian i Tiranës dhe Universiteti Fama në Prishtinë, me pjesëmarrjen e figurave të njohura nga politika, bota akademike, biznesmenë nga Shqipëria dhe Kosova.

I pranishëm në këtë event, ish-presidenti i Shqipërisë Rexhep Mejdani tha se unifikimi i shqiptarëve në Ballkan kërkon së pari një shtet kosovar të njohur ndërkombëtarisht.

“Një çështje e parë me peshë themelore në kuadrin e bashkëpunimit, pas çlirimit të Kosovës dhe pavarësimit të saj është njohja e mëtejshmë e Kosovës dhe anëtarësimi i saj në të gjitha organizatat e vendeve sovrane, jo vetëm në OKB, NATO, e BE, por edhe në struktura të tjera si OSBE KiE etj” - , tha Mejdani.

Në fund të takimit ish-presidenti i Kosovës Behxhet Pacollit iu rezervua edhe një dhuratë simbolike, nje karikaturë miqsore nga i mirënjohuri Bujar Kapexhiu.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›