E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria po ndërhynë në punën e gjyqësorit

Nga Express më 09 korrik 2011 në ora 16:14

Grupi i Ekspertëve për drejtësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës vlerëson se për shkak të një sistemi gjyqësor dhe prokurorial joefikas dhe të politizuar gjendja e drejtësisë po pësojnë zhvillime negative e të dëmshme, ku sipas tyre po ndikojnë në pamundësinë e ndërtimit të shtetit të së drejtës.

Arben Gashi, kryesues i grupit të ekspertëve të LDK-së për drejtësi, në një konference për media të shtunën vlerëson se sistemi aktual i drejtësisë në vend është në gjendje të mjerueshme, andaj sipas si duhet që në mënyrë urgjente të merren hapa drejt përmirësimit.

“LDK-ja vlerëson se procesi i ligjbërës gjatë gjysmës së parë të vitit 2011 karakterizohet me propozim-ligje që përveç defekteve strukturore dhe përmbajtjesore përballen edhe me probleme logjike dhe konceptuale. Situatë jashtëzakonisht e rendë në aspektin e nxjerrjes së ligjeve paraqitet situata në ato raste ku propozim-ligjet që kanë shkuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe janë aprovuar në Kuvend nuk kanë qenë të buxhetuar”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, kanë mbetur pa buxhet Ligji për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, Ligji për Bashkëpunimin Juridik Ndërkombëtar në Çështje Penale dhe Ligji për Ndihmë Juridike Falas.

Gashi thotë se LDK-ja ka konstatuar se nuk vërehet përparim në zhvillimin e sistemit gjyqësor të qëndrueshëm në Kosovë. Po ashtu, sipas ekspertëve të këtij subjekti politik, sfidë shumë e madhe mbetet edhe gjendja në sistemin prokurorial.

“Konstatohet se sistemi gjyqësor dhe sistemi prokurorial në Kosovë përballen me sfida të mëdha në aspektin e pavarësisë së tyre financiare, funksionale, por edhe operacionale. Si rezultat i ndërhyrjes së Qeverisë në punën e gjyqësorit dhe të prokurorisë, me qëllim të kontrollit politik, po ashtu edhe në aspektin e mungesave buxhetore të cilat janë pengesë kryesore në zhvillimin e kapaciteteve të brendshme të institucioneve të drejtësisë, kemi sistem gjyqësor dhe prokurorial joefikas dhe të politizuar”, ka thënë Gashi.

Grupi i ekspertëve të LDK-së për drejtësi në këtë drejtim ka dalë me disa rekomandime. Sipas tyre duhet të merren masa të cilat garantojnë që në Kosovë të bëhet hartimi, buxhetimi dhe zbatimin e ligjeve të cilat rrjedhin nga rrethanat sociale dhe ekonomike në vend, të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare, si dhe ta kenë të garantuar buxhetin për zbatim.

Gjithashtu ekspertët e LDK-së për drejtësi rekomandojnë që të garantohet ndarja e pushteteve dhe të ndalohet urgjentisht ndërhyrja e Qeverisë në punët e gjyqësorit dhe të prokurorisë, në mënyrë që të krijohet baza e qëndrueshme e punës profesionale.

Në të njëjtën kohë, sugjerohet që të garantohen mekanizmat ligjorë të kontrollit dhe vlerësimit të brendshëm të performancës së organeve të shtetit të së drejtës prokurorisë dhe gjykatave.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›