E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacolli e qeveria BE i gezuar

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton dhe komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fule, mirëpritën përmes një deklaratë të përbashkët për shtyp, formimin e qeverisë së re në Kosovë dhe zgjedhjen e presidentit, pavarësisht se ishin vënë në dijeni mbi mënyrën sesi u votua një ditë më parë në Kuvend ekipi i ri udhëheqës.

“Presim me padurim që të punojmë me ta për të përmirësuar jetën e njerëzve në Kosovë dhe t'i ndihmojmë ata për të përmbushur perspektivën europiane të vendit. Ne llogarisim gjithashtu se qeveria e re do të merret me reformat prioritare, vecanërisht me forcimin e administratës publike, sundimin e ligjit dhe se do të garantojë integrimin e të gjitha komuniteteve. Ne mirëpresim vendosmerinë e qeverisë së re për nisjen e dialogut Prishtinë-Beograd, e në këtë kuadër shprehim gadishmërinë për të punuar ngushtë me kryeministrin dhe ekipin e tij të ri”, deklaroi Natasha Butler, zëdhënëse e KE për Zgjerimin.

Zëdhënëset respektive të Ashton e Fule u pyetën disa herë gjatë konferencës për shtyp mbi legjitimitetin e përfaqësuesve të rinj të shtetit të Kosovës, duke iu referuar të dhënave për mosrespektim të Kushtetutës së vendit, por dhe presionit të ushtruar ndaj deputetëve të pranishëm në Kuvendin e Kosoves derisa u sigurua kuorumi i nevojshëm i votave.

“Ne jemi në dijeni të vështirësive që u hasën natën e kaluar gjatë votimit. Ne u kërkojmë të gjitha partive politike atje të punojnë së bashku në menyre konstruktive”, u shpreh Butler.

“I kemi parë raportet e po presim të shohim në mënyrë më të saktë edhe nga pikëpamja institucionale për zgjedhjen e tyre. Duhet të shohim me vëmendje nëse një gjë e tillë ishte apo jo në kundërshtim me Kushtetutën. Për momentin është kyc bashkëpunimi me një qeveri në Kosovë, sepse, sic e dini, për ne kjo përbën një cështje varësie për nisjen e dialogut Prishtinë-Beograd, që është prioritet i rëndësishëm i yni. E kemi theksuar gjithashtu faktin se qeveria e re duhet të merret me cdolloj parregullësie të hasur gjatë procesit zgjedhor e i takon qeverisë që ta bëjë atë. Për aspektin institucional, po e vëzhgojmë atë në mënyrë të tërësishme, në mënyrë që të ndërmarrim veprime në rast nevoje”, theksoi ajo.

Ndërsa Maja Kocijancic, zëdhënëse e përfaqësueses së Lartë të BE-së, tha: “Ne dhamë një qëndrim të qartë përsa i takon pozicionit tonë mbi formimin e qeverisë dhe zgjedhjes se presidentit të ri në Kosovë. Do të kemi një raund tjetër përfundimtar konsultimesh me autoritetet përkatëse, përpara se të nisim dialogun Prishtinë-Beograd. Besoj se dialogu do të nisë gjatë javëve të ardhshme, por nuk mund të japë një datë të qartë për këtë pa u mbyllur procesi i këtyre konsultimeve”.

Ndryshe nga tradita e deritanishme europiane, axhenda e presidentit të Komisionit, Barroso nuk përfshinte ende, sipas zëdhënësit të tij, ndonjë takim të mundshëm së afërmi me presidentin Bexhet Pacolli apo kryeministrin Hashim Thaci.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›