E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet kushtetueseBDI: Jo në parlament pa pranuar kërkesat

SHKUP- Ndryshimet kushtetuese në gjyqësor nuk kanë gjetur mbështetje as në fazën e parë parlamentare kur duhej të votohet për nevojën e hapjes së ndryshimeve kushtetuese. Ndryshimet kushtetuese nuk gëzuan mbështetje pasi propozuesit, apo 58 deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk panë të udhës, që me këto ndryshime të përfshihen edhe dy propozimet e partnerit shqiptar në koalicion Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI). Ajo ka të bëjë me mënyrën e emërimit dhe shkarkimit të gjykatësve në këshillin gjyqësor dhe Gjykatën Kushtetuese. "Në mungesë të numrit të nevojshëm të deputetëve dhe duke e pasur parasysh faktin se në këtë seancë marrin pjesë një numër i caktuar deputetësh, për të njëjtën pikë të rendit të ditës do të vendosë parlamenti kur të krijohen kushte", - është shprehur Krye-parlamentari Trajko Veljanovski. BDI-ja e Ahmetit propozon që me ndryshimet kushtetuese, ku parashikohet largimi i ministrit të Drejtësisë nga këshilli gjyqësor, heqjen e kryetarit si funksion nga këshilli dhe rritjen e numrit të gjykatësve nga 8 në 10, të përfshihen edhe dy kërkesat që kanë të bëjnë me emërimin dhe shkarkimin e gjykatësve në bazë të parimit të shumicës së dyfishtë, apo i njohur si parimi i Badenterit. Gjithashtu për ligjet të cilat parlamenti i miraton me shumicën e dyfishtë të vlejë i njëjti parim edhe në Gjykatën kushtetuese. "Ne nuk jemi të gatshëm të hymë në ndryshime kushtetuese, pa përfshirjen e propozimeve tona", - është shprehur deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›