Pacolli uron sekretarin e përgjithshëm të OKB-së

Zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli, ka uruar sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, pas rizgjedhjes së tij në krye të kësaj organizate.
Në telegramin e urimit të zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, deklarohet: “Unë shpreh bindjen se ju në të ardhmen do t`i shërbeni me përkushtim paqes dhe zhvillimit të një bote më të qetë.
E di se kjo detyrë është e vështirë, nëse mbajmë parasysh shumë prej zhvillimeve që po kalon bota sot, por rizgjedhja juaj është një hap në rrugën e duhur, për udhëheqjen e OKB-së, fuqizimin e saj të mëtejshëm si garante e paqes dhe e stabilitetit në botë”.
“Unë shpresoj shumë se nën udhëheqjen tuaj, OKB-ja do të shqyrtojë me shpejtësi anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në familjen e shteteve që i shërbejnë paqes në rajon dhe më gjerë. Ky është hapi i radhës në vijim të mendimit të fundit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për pavarësinë e vendit tim dhe Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të shtatorit 2010 që e konfirmoi legjitimitetin e kësaj pavarësie. I angazhuar në realizimin e këtij objektivi shpresoj shumë të bashkëpunoj me Ju në të ardhmen”, thuhet ndër të tjera në urim.