E Shtunë, 31 Tetor 2026

Padia e ish-prostitutës: Dua 600 mijë euro nga tutori im

TIRANË- 100 mijë euro dëmshpërblim, për çdo vit të harxhuar trotuareve të Italisë. Kjo është padia e rrallë e një ish-prostitute, kundër tutorit të saj, që e ka shfrytëzuar me anë të dhunës dhe presioneve për 6 vjet me radhë në Itali. Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë, pas hetimeve gjashtëmujore dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale ndaj të pandehurit Andrea Ajasllari, i cili për gjashtë vjet radhazi trafikoi dhe shfrytëzoi për prostitucion një 17- vjeçare, duke e detyruar në një rast të abortojë fëmijën. Përveç dosjes së dërguar për gjykim nga prokurorja e Krimeve të Rënda, Elizabeta Ymeri, viktima tashmë 23 vjeç, ka depozituar një padi civile në Gjykatën e Tiranës, ku i kërkon të pandehurit 34- vjeçar Ajasllari 600 mijë euro, që sipassaj, i ka fituar me shitjen e trupit.
***
Sipas kërkesës për gjykim, të përpiluar nga prokurorja Ymeri, i pandehuri 34- vjeçar Ajasllari nga rrethi i Skraparit ka konsumuar veprën penale të “trafikimit të të miturës” për qëllime prostitucioni, të shoqëruar me dhunë fizike dhe psikike nga dhjetori i vitit 2001 deri në korrik të vitit 2007, vepër kjo e parashikuar në nenin 128/b/3 të Kodit Penal. “Procedimi penal në ngarkim të të pandehurit Andrea Ajasllari ka filluar më 20 korrik të vitit 2007 nga Prokuroria për Krime të Rënda, menjëherë pas kallëzimit të bërë nga e dëmtuara. Vajza tregon se është nxjerrë jashtë territorit shqiptar nga i pandehuri Andrea Ajasllari, i cili ka pasur si qëllim shfrytëzimin e saj. Ajo ka ushtruar prostitucion, deri në momentin që ka vendosur të bëjë kallëzim ndaj tij”,-thuhet në kërkesën për gjykim. Sipas dosjes së dërguar pranë gjykatës, ku pas hedhjes në short i ka rënë për shqyrtim pesëshes gjykuese të kryesuar nga gjyqtari Idriz Mulkurti, i pandehuri Ajasllari gjatë vitit 2001 është njohur me vajzën në Tiranë.
***
I pandehuri ka përdorur metodën e njohur të mashtrimit, duke ipremtuar martesë vajzës, madje e ka prezantuar atë me babanë e tij. “Lidhja e tyre u forcua kur i pandehuri filloi të banonte në një shtëpi me qira në rrugën e “Bërrylit” në kryeqytet, ku qëndronte me vajzën. Gjatë kësaj kohe të qëndrimit së bashku, i pandehuri ka ushtruar dhunë psikike, e tortura fizike duke e detyruar në një rast edhe të dështojë fëmijën që kishte filluar të rritet në barkun e saj nga lidhja e tyre dashurore”,-thuhet në kërkesën për gjykim. Pas abortit të fëmijës, sipas dosjes, i pandehuri e ka bindur me anë të forcës që ajo të shkonte së bashku me të në Itali dhe në dhjetor të 2001 “çifti” i ri mbërrin në shtetin fqinj. Mësohet se me të mbërritur në Itali, i pandehuri 34 -vjeçar ka krijuar kushtet dhe mundësitë përkatëse që e dëmtuara duke qenë e detyruar të punojë në rrugë si prostitutë për gjashtë vjet, deri në momentin e deportimit të saj në Shqipëri nga policia italiane. “Premtimi për një martesë, për një familje dhe për një jetë të lumtur të ndërtuar së bashku, i shoqëruar me keqtrajtime fizike të vazhdueshme dhe me kërcënime nga më të ndryshmet kanë qenë arsyet që e kanë mbajtur të dëmtuarën të lidhur ngushtë me të pandehurin, deri në momentin që ka bërë kallëzimin”,-thuhet në kërkesën për gjykim. Gjithashtu, mësohet se të gjitha fitimet e nxjerra nga veprimtaria e ushtruar si prostitutë nga ana e të viktimës, kanë shkuar në favor të të pandehurit Andrea Ajasllari. Ky i fundit ka arritur të sigurojë mjaft pasuri për vete dhe familjen e tij. “Në kohën kur ka ndodhur ngjarja e dëmtuara përfaqësonte një të mitur pasi ka lindur në shkurt të vitit 1984 dhe trafikimi i saj është kryer në dhjetor të 2001 deri në korrik të vitit 2007”,-thuhet në kërkesën për gjykim të përpiluar nga prokurorja Elizabeta Ymeri. I pandehuri gjatë fazës hetimore ndodhet i arrestuar nën masën e sigurisë “arrest me burg”, pasi prangosja e tij është bërë vetëm tre ditë pas dëshmisë tronditëse të vajzës, më 21 korrik 2007.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›