E Shtunë, 31 Tetor 2026

Padit Ina Ramën, e shkarkoi nga detyra

TIRANE-Ish-prokurori i Kurbinit, i shkarkuar nga detyra, padit shefen e organit qendror të akuzës, Ina Rama. Tom Dedaj i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me një padi civile, përmes së cilës kërkon shfuqizimin e urdhrit të kryeprokurores Rama për shkarkimin e tij nga detyra. I kontaktuar në telefon nga “G. Shqiptare”, ish-prokurori Dedaj nuk preferoi të komentonte më gjatë rreth kësaj çështjeje, pasi mesa duket ka vendosur që të gjitha argumentet ligjore ku mbështet padinë do t’i bëjë prezente para gjyqtares Miranda Ndoja gjatë procesit gjyqësor. Me anë të kësaj padie, Dedaj kërkon gjithashtu shpalljen si të pavlefshëm dhe të një urdhri të firmosur nga drejtuesi i Prokurorisë së Kurbinit për ndërprerjen e pagës, si dhe urdhrin mbi bazën e të cilit është vendosur fillimi i ndjekjes penale ndaj tij. Tom Dedaj u shkarkua nga detyra afro dy muaj më parë, pasi u gjet me shkelje në disa dosje.

Me propozim të kryeprokurores Ina Rama, kreu i shtetit, Bamir Topi dekretoi shkarkimin nga detyra të prokurorit të rrethit Kurbin, Tom Dedaj. Më parë, Këshilli i Prokurorisë, pas një procesi maratonë më 24 gusht 2009, i dha “OK” shkarkimit nga detyra të prokurorit Dedaj, me argumentuan se specialistët e Drejtorisë së Inspektimit, gjatë kontrollit që kanë kryer në dosjet e tij kishin konstatuar shkelje të shumta në përcaktimin e masave të dënimit apo sigurimit ndaj të akuzuarve për vepra të ndryshme penale. Ish-prokurori nuk është paraqitur në asnjë mbledhje të Këshillit të Prokurorisë, pasi i ka cilësuar veprimet e tij si të paligjshme dhe jotransparente. Pasi humbi betejën e parë me organin pranë të cilit ushtronte funksionin e prokurorit, Tom Dedaj i është drejtuar gjykatës, si vendi ku do të gjejë drejtësi. Gjatë procesit, Dedaj pretendon se do të sjellë para gjykatës provat që vërtetojnë pretendimet e tij. Në fakt, janë të paktë prokurorët të cilët pas shkarkimit kanë ndjekur rrugën gjyqësore.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›