E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, Demokracia e Re zgjedhje sot për pasardhësin e Karamanlisit

ATHINË- Anëtarët e partisë konservative opozitare greke Demokracia e Re, votojnë sot për të zgjedhur pasardhësin e liderit Kostas Karamanlis, i cili dha dorëheqje nga funksioni pas dështimit në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 4 tetor.
Sipas sondazheve të fundit, shefja e mëparshme e diplomacisë greke Dora Bakojani dhe ish ministri i Kulturës Antonis Samaras kanë pothuajse gjasa të njëjta për fitore, dhe pas tyre renditet kandidati i tretë, kryebashkiaku i Selanikut, Panajotis Psomijadis.
Analistët vlerësojnë se ndërkaq sot asnjëri nga kandidatët nuk do të marrë të paktën 50 për qind të votave, që është kusht tu zgjedhur si lideri i partisë më të madhe opozitare në Greqi dhe se pasardhësi i Karamanlisit do të zgjidhet vetëm pas raundit të dytë të votimit të planifikuar për më 5 dhjetor.
Të drejtë vote në zgjedhje kanë të gjithë anëtarët e partisë, madje edhe ata të cilët anëtarësohen sot.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›