E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paga mesatare e kosovarëve 272 euro

Këto janë të dhënat më të fundit që ka publikuar Enti i Statistikave të Kosovës, në lidhje me ecurinë e pagës në sektorin shtetëror. Sipas të dhënave të Entit, ndryshe nga një muaj më parë, paga mesatare e muajit të tretë të këtij viti ka rënë për një përqindje të vogël apo për rreth 1 për qind.

Kjo nuk është hera e parë që paga mesatare ka pësuar rënie nga muaji paraprak. Në fillim të këtij viti paga mesatare pati pësuar një rënie për 10 për qind. Në fund të vitit të kaluar paga mesatare është regjistruar të jetë 270 euro, ndërkohë që në fillim të vitit ra në 255 euro. Pagën mesatare prej 272 eurove sipas të dhënave statistikore e marrin 75 mijë e 886 të punësuar. Këtë vit numri i të punësuarve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është shtuar për 1200 veta.

Sipas të dhënave zyrtare që vijnë nga vendet e rajonit, Kosova mund të krahasohet për nivelin e pagave vetëm me Shqipërinë, ndërkohë që qytetarët e vendeve të tjera ballkanike paguhen dukshëm më shumë se ata kosovarë. Në Shqipëri paga mesatare është regjistruar të jetë 242 euro.

Diferenca e pagave me rajonin është e ndjeshme. Në rajon asnjë pagë mesatare nuk është nën 300 euro. Maqedonia, që është fqinji më i afërt edhe sa i përket profilit ekonomik, ka një pagë mesatare 488 euro, Bullgaria, edhe pse një anëtare e Bashkimit Evropian, prej vitesh është ende nën standardin e BE-së, por më mirë se Kosova me një pagë mesatare 303 euro. Mesatarja e Serbisë është në nivelin 469 euro, Mali i Zi 643 euro, Bosnjë-Hercegovina 615 euro.

Në Kosovë, paga më e lartë mesatare është regjistruar në sektorin e shërbimeve të përgjithshme, ku në muajin e tretë të këtij viti sipas të dhënave të fundit paga mesatare është regjistruar të jetë 345 euro. Në këtë sektor janë të punësuar rreth 10 mijë persona. Rreth 30 euro më pak thuhet të jenë pagat mesatare të shërbyesve të rendit publik dhe të sigurisë, ku janë të punësuar 16 mijë e 595 veta. Karakteristikë e këtij sektori është se për çdo muaj është regjistruar numër më i vogël i të punësuarve.

Sipas Entit, pagat mesatare në sektorin e shëndetësisë, që ka rreth 13 mijë të punësuar, janë 287 euro, ato të sektorit të ambientit 274 euro, përderisa ato të sektorit të argëtimit dhe të kulturës janë 254 euro.

Ndonëse vihet re një përmirësim në nivelin e pagave nga buxheti i Kosovës, sektori i arsimit vazhdon të ketë një pagë mesatare prej 243 euro. Në këtë sektor është regjistruar numri më i madh i të punësuarve - 33 mijë e 98 persona kanë qenë të punësuar në tremujorin e parë të këtij viti, apo rreth 500 më shumë se një vit më parë.

Paga mesatare e sektorit të arsimit ka pasur një rënie. Për 12 euro më e lartë ishte në fund të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave zyrtare, paga më e ulët mesatare është regjistruar në sektorin e strehimit, 220 euro, e që sipas të dhënave të Entit nuk ka pasur ndonjë ngritje të theksuar në dy vjetët e fundit.

Mesatarja e pagave në vendet e rajonit:

Shqipëria 242 euro
Kosova 272 euro
Bullgaria 303 euro
Serbia 469 euro
Maqedonia 488 euro
Bosnja e Hercegovina 615 euro
Mali i Zi 643 euro
Kroacia 1051 euro
Sllovenia 1439 euro

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›