Paga minimale rritet në 22 mijë lekë, detyrim për privatin dhe shtetërorin
Berisha: Përfitojnë të gjithë punonjësit. Javën tjetër kalon vendimi për pensionet
Tashmë paga minimale do të rritet në masën e 22 mijë lekëve. Vendimi është marrë dje nga qeveria e kryeministrit Berisha, dhe prek të gjithë punonjësit e administratës shtetërore si dhe sektorin privat. Ndërkohë kryeministri Berisha ka ripërsëritur edhe një herë premtimin e tij për rritje të përgjithshme të të gjithë pagave dhe pensioneve, por se ky vendim do të miratohet javën që vjen.
Vendimi
Sot marrim një vendim të rëndësishëm që ka të bëjë me përcaktimin e pagës minimale. Me këtë vendim, duke përfshirë edhe heqjen që i kemi bërë për nivelin nën 30 mijë lekë të tatimit mbi të ardhurat personale, paga minimale e punonjësve të administratës, të cilët janë një numër i vogël, gjithsej 1 përqind, rritet me 11.3 përqind. Cili është interesi i këtij vendimi? Vendimi ka një interes shumë më të madh sesa për punonjësit e administratës që, siç e thashë, është 1 përqind. Interesi është i madh, sepse në përputhje me konventën 26 të ILO-s, Organizatës Botërore të Punës, kjo rrogë bëhet e detyrueshme për të gjithë punëdhënësit, shtet ose jo shtet, në Republikën e Shqipërisë, tha dje kryeministri Berisha.
Përfituesit
Pra me këtë vendim rroga minimale në çdo vend përbën një detyrim ligjor për të gjithë. Sipas Berishës në këtë rast përfitues nuk janë 1 për qind e rrogëtarëve, por një përqindje shumë më e lartë, pasi përfshihet edhe sektori privat që është i detyruar ta ndjekë këtë. Vendimi ka edhe një rëndësi tjetër, pasi në një mënyrë përmirësohet raporti i pagave brenda piramidës së administratës.
Pensionet
Gjithashtu në vazhdën e premtimeve të bëra prej tij, kryeministri Berisha njoftoi se javën e ardhshme, qeveria kalon edhe vendimin për rritjen e pagave dhe pensioneve. Siç jeni njohur me premtimin para zgjedhjeve, javën tjetër vjen vendimi për rritjen e rrogave dhe pensioneve. Ky vendim është vendim i mandatit katërvjeçar që po mbaron dhe në asnjë mënyrë nuk mund të mbetet pa u mbajtur, siç është dhënë. Fjalë e dhënë, fjalë e mbajtur, theksoi dje kryeministri Berisha.
22
mijë lekë u rrit paga minimale me vendimin e fundit të qeverisë, nga 21 mijë lekë që ishte më parë. Ky vendim vlen si për sektorin shtetëror, ashtu dhe për sektorin privat
11.3
për qind është rritja reale e pagës minimale duke përfshirë këtu edhe vendimin tjetër të Qeverisë, për heqjen e TVSH-së për pagat nën 30 mijë lekë
3
miliardë lekë është fatura financiare e rritjes së pagave dhe pensioneve e akorduar nga Qeveria për këtë vit