E Diel, 1 Nëntor 2026

Pagat e Magjistratëve, reagon Kushtetuesja: Vendimi ynë është përfundimtar dhe i detyrueshëm për t’u zbatuar!

Gjykata Kushtetuese ka reaguar për diskutimet mbi pagat e magjistratëve, duke iu referuar vendimit nr. 15, datë 17 shkurt 2026, me të cilin është përcaktuar standardi kushtetues për këtë çështje dhe detyrimet që rrjedhin prej tij për autoritetet përgjegjëse.

Gjykata sqaron se vendimi duhet të lexohet dhe të zbatohet në tërësinë e tij, si në pjesën arsyetuese, ashtu edhe në dispozitiv. Sipas saj, këto përbëjnë qëndrimin zyrtar për çështjen e shqyrtuar.

Në njoftimin e saj, Kushtetuesja kujton se vendimet e saj janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim. Respektimi i tyre lidhet drejtpërdrejt me parimin e shtetit të së drejtës dhe sigurinë juridike.

Në qendër të sqarimit është edhe mënyra e përllogaritjes dhe ekzekutimit të pagave në administrimin e brendshëm të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata sqaron se mënyra se si ajo administron pagat e veta, në varësi të fondeve buxhetore në dispozicion, nuk mund të përdoret si bazë për të përcaktuar efektet juridike të vendimit nr. 15.

Po ashtu, kjo mënyrë e administrimit të brendshëm nuk ndryshon detyrimet që vendimi i 17 shkurtit 2026 sjell për autoritetet përgjegjëse për zbatimin e tij.

Vendimi nr. 15 u mor pas kërkesës së Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë për ndryshimin e mënyrës së përcaktimit të pagave.

Gjykata arriti në përfundimin se nevojiteshin ndryshime ligjore për përshtatjen e pagës së magjistratëve me standardet kushtetuese dhe i la Kuvendit afat deri më 31 korrik 2026 për ndërhyrjet përkatëse.

Sqarimi i fundit i Kushtetueses vjen në një kohë kur ka pasur diskutime për mënyrën e zbatimit të vendimit dhe ekzekutimin e pagave të magjistratëve.

Për zbatimin e vendimit nr. 15, datë 17.02.2026 për pagat e magjistratëve.

Në lidhje me diskutimet publike për çështjen e pagave të magjistratëve, Gjykata Kushtetuese vlerëson të nevojshme të sqarojë se për këtë çështje është shprehur tashmë me vendimin nr. 15, datë 17.02.2026.

Përmes këtij vendimi, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar standardin kushtetues të zbatueshëm, duke evidentuar njëkohësisht detyrimet që burojnë prej tij për autoritetet përgjegjëse. Arsyetimi dhe dispozitivi i vendimit përbëjnë qëndrimin zyrtar të Gjykatës për çështjen e shqyrtuar dhe, për rrjedhojë ato duhet të lexohen e të zbatohen në tërësinë e tyre, në përputhje me parimet kushtetuese të përcaktuara në të.

Gjykata rithekson se vendimet e saj janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim. Respektimi dhe zbatimi i tyre përbën një kërkesë të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues dhe është i lidhur ngushtësisht me parimin e shtetit të së drejtës dhe të sigurisë juridike.

Në këtë kuptim, Gjykata sqaron se mënyra e përllogaritjes dhe e ekzekutimit të pagave në administrimin e brendshëm të saj, në varësi të fondeve buxhetore në dispozicion, nuk mund të interpretohet si përcaktuese për efektet juridike të vendimit nr. 15, datë 17.02.2026 dhe as për detyrimet që ky vendim sjell për autoritetet përgjegjëse për zbatimin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›