Digjen pishat në zonën pyjore, del jashtë kontrollit zjarri në Malin e Tërbunit

Zjarri që ka përfshirë masivin pyjor me pisha të Tërbunit vijon të mbetet jashtë kontrollit. Flakët po përhapen në terrenin pyjor, ndërsa era favorizon përhapjen e tyre.
Pamjet e siguruara me dron tregojnë tymin e dendur që ngrihet mbi pyllin me pisha, duke dëshmuar përmasat e vatrës në zonën e përfshirë nga zjarri.
Më herët, prefektja e Shkodrës, Holta Duda, bëri me dije se zjarri ndodhet në një fshat më poshtë se zona e përfshirë nga flakët disa javë më parë. Sipas saj, situata në terren vijon të monitorohet dhe forcat janë angazhuar për përballimin e zjarrit.
Era mbetet një nga faktorët që vështirëson ndërhyrjen, ndërsa zjarri vijon të përfshijë sipërfaqe të masivit pyjor.