E Diel, 1 Nëntor 2026

Pagat e gjyqtarëve, Gogu: Ka boshllëk ligjor, mosmarrëveshja do të zgjidhet në Kuvend

TIRANË, 5 shtator /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi sot se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve është i detyrueshëm për t’u zbatuar, teksa shtoi se zgjidhja për situatën e krijuar ndodhet në Kuvend.

Në një konferencë për mediet, Gogu u shpreh se vendimet e Gjykatës Kushtetuese “nuk negociohen” dhe “nuk relativizohen”, duke nënvizuar se çdo institucion është i detyruar t’i zbatojë ato.

Ai shtoi se përgjegjshmëria për përdorimin e parasë publike dhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk janë dy parime që bien ndesh me njëri-tjetrin.

“Paraja publike është para e qytetarëve, nuk është e qeverisë. Çdo qindarkë e buxhetit të shtetit duhet të ketë autorizim ligjor për t’u shpenzuar. Përgjegjshmëria ndaj buxhetit dhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk janë në luftë me njëra-tjetrën. Përkundrazi, kërkojnë të njëjtën gjë: autorizimin e qartë ligjor për ta zbatuar”, u shpreh ai.

Gogu sqaroi se problemi i krijuar nuk lidhet me një debat se kush kërkon më shumë apo kush jep më pak, por me mungesën e bazës ligjore për formulën e pagës së magjistratëve pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Duhet ta themi troç: kemi arritur këtu sepse na mungon baza ligjore për formulën e pagës së magjistratëve, të cilën Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi. Ky boshllëk duhet të plotësohet atje ku e ka vendin: në Kuvend, me ligj”, deklaroi ministri.

Ai bëri të ditur se çështja pritet të adresohet me nisjen e sesionit të ri parlamentar, duke e cilësuar plotësimin e boshllëkut ligjor si rrugën për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes.

“Zgjidhja nuk është që institucionet të përplasen me njëra-tjetrën. Zgjidhja është në Kuvendin e Shqipërisë. Detyra ime është që kjo të bëhet shpejt dhe sa më mirë, në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe me përgjegjshmëri të plotë ndaj buxhetit të shtetit”, tha Gogu.

I pyetur për interpretimet e ndryshme të gjyqtarëve dhe për padinë e ngritur lidhur me çështjen e pagave, ministri theksoi se nuk i takon Ministrisë së Drejtësisë të gjykojë proceset që u përkasin institucioneve të tjera.

“Nuk kam ndërmend të bëj Gjykatën Kushtetuese apo të gjykoj veprimet e Kuvendit. Nuk e kam këtë kompetencë. Ajo që mund të siguroj si ministër i Drejtësisë është se nuk do të pushoj deri në ditën kur të plotësojmë boshllëkun ligjor”, deklaroi ai.

Në fund, Gogu përmblodhi qëndrimin e tij me një mesazh për respektimin e roleve kushtetuese të institucioneve:

“Ligjet bëhen në Kuvend. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese zbatohen. Mosmarrëveshjet gjyqësore zgjidhen në gjykatë. Secili në vendin e vet”, tha ai.

/m.q/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›