98 ditë protestë kundër investimit në Zvërnec

TIRANË, 5 shtator/ATSH/ Protesta kundër projektit të investimit turistik në Zvërnec ka hyrë sot në ditën e 98-të.
Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt godinës së Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalimet e rastit.
E nisur fillimisht në shenjë kundërshtimi ndaj projektit të investimit në zonën e Zvërnecit, protesta ka zgjeruar kërkesat edhe në çështje politike dhe institucionale.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të ashtuquajturës “kastë e vjetër” politike, si dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe ndryshimin e ligjit zgjedhor.
Aktivistja Sidorela Vatnikaj theksoi se përgjatë 98 ditëve të qëndresës popullore, motivet për të protestuar vetëm sa janë shumëfishuar. “Mjafton të shikosh si Shqipëria është e gjitha në zjarr, qytetet digjen, banorët evakuohen por askush nuk mban përgjegjësi. Mjafton të shikosh si krimi kërcënon bizneset”, shtoi ajo.
Protesta vijoi me fjalime nga aktivistë e qytetarë të tjerë, ndërsa organizatorët shprehen të vendosur për vijimin e aksionit qytetar.
Protesta e 98-të; Fotoreporter: Florian Abazi 1 nga 4/m.m/r.e/