E Diel, 1 Nëntor 2026

Pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Bardhi: Moszbatimi i vendimit të Kushtetueses rrezikon shtetin e së drejtës

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka akuzuar Qeverinë dhe mazhorancën se po refuzojnë në mënyrë të vazhdueshme zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar situatën si një rrezik serioz për funksionimin demokratik të shtetit dhe ndarjen e pushteteve.

Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi u ndal te situata e krijuar lidhur me trajtimin financiar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke theksuar se dispozitat ligjore përkatëse janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese me efekt nga 31 korriku 2026.

Sipas Bardhit, që prej 1 gushtit sistemi gjyqësor ka mbetur pa një bazë të qartë ligjore për trajtimin financiar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ai kritikoi gjithashtu vendimmarrjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor për përcaktimin e pagës së vet, duke e konsideruar një akt të paprecedent.

“Sot, me një akt të paprecedent, sistemi gjyqësor, përmes Këshillit të Lartë Gjyqësor, ka përcaktuar pagën e vet, duke marrë përsipër kompetenca që i takojnë ligjvënësit”, shkroi Bardhi.

Sipas tij, ky vendim ngre pikëpyetje mbi kushtetutshmërinë dhe bazën ligjore të një vendimmarrjeje të tillë, ndërsa përplasja ndërmjet kompetencave të institucioneve mund të shmanget përmes zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Bardhi kërkoi që Kuvendi i Shqipërisë të ndërhyjë menjëherë për trajtimin dhe zgjidhjen e situatës, duke iu referuar edhe një përgjegjësie të përcaktuar nga Këshilli i Legjislacionit të Kuvendit më 4 maj 2026.

“Rruga e vetme për ta zgjidhur këtë situatë është respektimi dhe zbatimi i plotë, i menjëhershëm dhe pa ekuivok i vendimeve të detyrueshme të Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh ai.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së e cilësoi mosveprimin e Kuvendit dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese si shkelje të rëndë të parimeve kushtetuese dhe të shtetit të së drejtës.

“Nuk mund të ketë shtet të së drejtës kur vendimet e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen të zbatohen sipas interesit politik”, deklaroi Bardhi, duke theksuar se vendimet e kësaj gjykate janë detyruese dhe zbatimi i tyre përbën detyrim kushtetues dhe jo zgjedhje politike.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›