26 gushti, Dita Ndërkombëtare e Qenve, një ditë për të festuar miqtë besnikë të njeriut

Tiranë, 26 gusht 2026/ATSH/ – 26 gushti shënohet çdo vit si “Dita Ndërkombëtare e Qenve”, një ditë kushtuar miqve më besnikë të njeriut, por edhe ndërgjegjësimit për mbrojtjen dhe mirëqenien e tyre.
Dita u krijua në vitin 2004 nga amerikania Colleen Paige, eksperte e sjelljes së kafshëve dhe aktiviste për të drejtat e tyre. Data ka një domethënie personale për të, pasi më 26 gusht familja e saj adoptoi qenin e parë nga një strehë, kur ajo ishte vetëm 10 vjeç.
Përtej festës, kjo ditë synon të tërheqë vëmendjen te qentë e braktisur dhe të nxisë adoptimin nga strehëzat, kujdesin e përgjegjshëm dhe luftën kundër keqtrajtimit të kafshëve.
Qentë janë gjithashtu pjesë e rëndësishme e jetës së përditshme dhe shërbejnë edhe si qen guide, në polici, në ekipet e kërkim-shpëtimit, si dhe në role të ndryshme ndihmuese për njerëzit me aftësi të kufizuara.
Në këtë ditë, dashamirësit e kafshëve mund të kontribuojnë duke ndihmuar strehëzat, duke dhuruar ushqime, duke u bërë vullnetarë ose, mbi të gjitha, duke i dhënë një shtëpi një qeni që pret për një familje.