Negociatat PD-PS, një fundjavë reflektimi

Shtyhet takimi midis Patozit dhe Ruçit për në fillim të javës së ardhshme. Palët, hapësirë njëra-tjetrës për reflektim
TIRANË - Ndërsa ditën e djeshme pritej zhvillimi i negociatave midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, ky takim është shtyrë për në fillim të javës tjetër. Shkak për shtyrjen është përpunimi i qëndrimeve që do të shfaqin në raundin e dytë të negociatave dy të mandatuarit e partive respektive. Burime nga të dyja partitë bëjnë të ditur se për shkak të qëndrimeve të palëvizura nga të dyja palët.
Në këtë mënyrë, palët kanë preferuar më mirë t'i lënë një fundjavë reflektimi njëra-tjetrës për qëndrimin që do të shfaqin mbi pikën ku negociatat kanë ngecur, atë të çështjes së fletëve të votimit. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se kjo lënie e kohës do të shërbejë që palët të mendojnë më mirë, të konsultohen me ekspertët e tyre, e më pas të shfaqin propozimin final në raundin e dytë të negociatave.
Socialistët
Në Partinë Socialiste bisedimet për negociatat janë në qendër të vëmendjes së drejtuesve më të lartë të partisë. Mëngjesin e djeshëm, ishte kryetari i grupit Parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi, i cili mbërriti në selinë rozë për të vijuar më pas me një ditë të ngjeshur me ngjarje politike. Pak minuta më vonë, në orën 9:00 në PS është paraqitur kryetari i partisë, Edi Rama.
Pak minuta pas tij ka mbërritur edhe sekretari për Çështjet Ligjore, Fatmir Xhafaj. Ruçi dhe Xhafaj u janë drejtuar zyrës së kryesocialistit për të nisur me të një konsultim të zgjeruar mbi negociatat politike dhe qëndrimet e shprehura nga mazhoranca.
Ky takim zgjati përreth 90 minuta. Në këtë takim është diskutuar mbi qëndrimin e socialistëve, ku edhe publikisht janë shprehur se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre. Pas dhënies së "porosive" nga lideri Edi Rama, dy zyrtarët e tjerë socialistë kanë vijuar më pas angazhimet e tyre politike.
Demokratët
Nga ana tjetër, në Partinë Demokratike gjërat janë më të qeta. Madje, mazhoranca po vijon me "avashllëk" negociata me kryetarin e grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi. Teksa pritej një takim midis kryetarit të grupit të PD dhe atij të PS, demokrati Astrit Patozi ndodhej paraditen e djeshme në Kryesinë e Kuvendit, i shoqëruar nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali dhe anëtarët e këtij komisioni, Eduart Halimi dhe Viktor Gumi.
Në ambientet e Kryesisë, pas sinjaleve të marrë nga dy partitë politike, mediat ishin të pranishme aty për të vrojtuar në rast se do të kishte një takim me negociatorëve. Krahas interesit në dukje të mediave për zgjidhjen e krizës politike, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, në hyrje të Kryesisë së Kuvendit pyet Astrit Patozin, me zë të lartë, se kur do të zhvillohej takimi i dytë midis tij dhe Gramoz Ruçit. "Avash-avash", përgjigjet buzagaz kryetari i grupit të PD. Më pas, të katërt zyrtarët hyjnë brenda në Kryesinë e Kuvendit, për të vijuar me planet e tyre të punës.
Privatizimi, qeveria pajton një firmë amerikane
TIRANË - Teksa propagandon uljen e shpenzimeve për shkak të krizës ekonomike, qeveria i ka shtuar një tjetër faturë vetes duke pajtuar një firmë amerikane që do të lobojë për të. "Patton Boggs" është studio që pretendohet se do të thithë biznesmenë të huaj që duan të investojnë në Shqipëri.
Zyrtarisht, firma amerikane është pajtuar për kryerjen e shërbimeve të kërkimit në fushën ligjore dhe të avokatisë, të cilat do të shërbejnë për thithjen e fondeve nga programet e ndihmës së huaj, për investimet e huaja direkte nga SHBA dhe bota në fushën ekonomike, si dhe shërbime të tjera.
Kjo kompani ka ardhur edhe më parë në vendin tonë ku ka ndërhyrë në privatizimin e ARMO-s. Më pas firma amerikane është shfaqur në sërish duke fituar një kontratë 25 milionë lekë për të bërë marketingun ndërkombëtar të shoqërisë në prag privatizimi, Albpetrol. Kompania "Patton Boggs" ka përgjegjësinë e marketingut ndërkombëtar dhe së shpejti do të fillojë procesi i vlerësimit për privatizimin e kompanisë shtetërore të përpunimit të naftës.