E Diel, 1 Nëntor 2026

Pagesat në cash të individëve/ Shoqata e Bankave, kundër propozimit për kufirin 500 mijë lekë

Shoqata Shqiptare e Bankave kundërshton propozimin e qeverisë shqiptare për vendosjen e një limiti prej 500 mijë lekësh për pagesat cash të individëve.

Në dëgjesën e kryer në Komisionin Kuvendor për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, sekretari i Shoqatës, Spiro Brumbulli, vlerësoi pozitivisht në parim nismën për të vendosur një kufi për pagesat cash të individëve.

Por, sipas tij, niveli prej 500 mijë lekësh është shumë i lartë dhe nuk i shërben aspak përpjekjes për të luftuar informalitetin dhe ekonominë e cash.

“Është pozitive që ulet kufiri për bizneset, nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë. Kjo tregon një frymë në favor të formalizimit të ekonomisë. Por, vendosja për individët e një tavani në shumën 500 mijë lekë është jashtë çdo analize dhe eksperience. Vendet e rajonit, si Greqia, Maqedonia e Veriut e kanë limitin 500 euro dhe e kanë njësoj, si për bizneset, ashtu edhe për individin.

Çfarë kuptimi ka të vendosim një limit prej 500 mijë lekësh për individin, kur paga mesatare është rreth 90 mijë lekë dhe ndërkohë që limit për biznesin parashikohet në 100 mijë lekë? Propozimi ynë është që tavani për veprimet në cash të jetë diku te 50-60 mijë lekë. Nuk e kuptoj cili është argumenti për një tavan prej 500 mijë lekësh.

Ne nuk jemi as Gjermani, as Hollandë, që janë vende me shkallë shumë të ulët informaliteti. Kjo masë nuk përputhet me të gjitha përpjekjet që po bëjmë për të luftuar informalitetin dhe paranë cash në ekonomi”, tha z.Brumbulli.

Në paketën fiskale 2026 qeveria synon të ulë përdorimin e parasë cash në ekonomi nëpërmjet uljes së vlerës së transaksioneve dhe vendosjen e “POS”-ve në të gjitha bizneset për pagesë më kartë.

Ndryshimet e reja ligjore në procedurat tatimore përcaktojnë reduktimin e pragut për pagesat me para në dorë ndërmjet bizneseve nga 150 000 lekë që është aktualisht në 100 000 lekë.

Ndryshimet gjithashtu përcaktojnë vendosjen e një kufiri prej 500 000 lekësh për transaksionet me para në dorë midis individëve dhe të vetëpunësuarve/tregtarëve. Aktualisht, ligji nuk parashikon një kufi të tillë. Vendosja e kufirit prej 500,000 lekësh është bërë bazuar në transaksionet ekzistuese dhe mbështetur edhe në eksperiencat e vendeve të tjera.

Sipas Ministrisë së Financave, këto masa synojnë përdorimin e mjeteve elektronike, rritjen e gjurmueshmërisë, formalizimin e ekonomisë private dhe reduktimin e evazionit fiskal.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›