Paguajmë më tepër, mjafton që malli të jetë cilësor
Shqiptarët mund të paguajnë diçka më tepër, mjafton që produkti që blejnë të jetë cilësor. Konstatimi vjen nga studimi i bërë prej Universitetit Bujqësor të Tiranës, me specialistë vendas e të huaj. Grupi i punës ka vëzhguar nga afër tregjet, sjelljet e konsumatorëve, duke kryer një anketë, të dhënat e së cilës paraqesin fakte interesante. Në prezantimin “Analizë krahasuese e zgjedhjeve konsumatore për produktet ushqimore të vendit (rasti i vajit të ullirit dhe verës) ekspertët dolën me konkluzionin se siguria e ushqimit është një shqetësim i vërtetë në Shqipëri. “Kjo argumentohet me faktin e gatishmërisë së konsumatorëve për të paguar qoftë edhe një çmim më të lartë për produkte që plotësojnë standardet e sigurisë ushqimore”, thuhet në analizën e publikuar pak kohë më parë nga UB-ja. Konkluzioni i lidhjes së çmimit me nivelin e sigurisë së ushqimit, duhet të konsiderohet në nivelet e ndërmarrjeve të agroindustrisë, të politikëbërjes dhe vendimmarrjes, si dhe ato akademike, shtojnë ekspertët e sektorit të bujqësisë.
Ndryshimet në ekonominë shqiptare kanë çuar në ndryshime të sjelljes dhe preferencës së konsumatorit për vajin e ullirit dhe verën. Pjesa më e madhe e të anketuarve preferonin vajin e ullirit të vendit, një tip apo shije specifike, me një çmim më të lartë, ndërsa një përqindje e vogël preferonin vajin e importuar. Pjesa më e madhe e të anketuarve zgjedhin çmimin si një nga atributet më të rëndësishme. Origjina është një faktor kyç për zgjedhjen për tre nga gjashtë segmente konsumatori, që së bashku përbëjnë 82% të të anketuarve. Gjithashtu, nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis të ardhurave të ulëta dhe preferencës për çmime më të ulëta, sepse çmimet konsiderohen si një nga të paktët tregues të besueshëm për cilësinë. Shumica e konsumatorëve tregojnë një preferencë për vajin e ullirit shqiptar, edhe pse statistikat e tregut tregojnë se importet po rriten. Kjo mund të shpjegohet me faktin se vaji i ullirit i importuar, në përgjithësi, konsiderohet i një cilësie më të lartë. Veçanërisht, gratë dhe burrat në pension, të cilët zakonisht kujdesen për blerjen e ushqimit të përditshëm, kanë tendencën të jenë më të kujdesshëm ndaj rrezikut. Këto dy kategori fokusohen në sigurinë e ushqimit kur zgjedhin blerjet e përditshme, për rrjedhojë perceptimi i importeve forcohet. Në këtë studim, orientimi i tyre drejt produkteve të importit duket të jetë një rezultat i perceptimit të tyre për lidhjen midis importit dhe sigurisë.
Te vera si produkt, “kontradikta” e lindur midis dy grupeve të konsumatorëve relativisht të vegjël, por jo të parëndësishëm, ku ata zgjedhin verën e vendit, por njëri grup preferon çmimin më të ulët dhe tjetri më të lartë, ka sjellë ndërlikime marketingu. Grupi i dytë bie ndesh me teorinë ekonomike të çmimit, ku sa më i lartë të jetë çmimi, aq më e ulët është kërkesa. Gatishmëria për të paguar një çmim më të lartë është tregues i një atributi tjetër të produktit, i cili lidh çmimin me nivelin e sigurisë së ushqimit. Kjo tendencë shihet të jetë më e fortë midis femrave. Sipas studimit të UB-së, blerëset femra preferojnë verën e vendit më të shtrenjtë, krahasuar me konsumatorët e tjerë, të cilët pëlqejnë verën e vendit më të lirë dhe ata janë në përgjithësi më të vjetër në moshë. Për sa i përket verës, në përgjithësi një pjesë e madhe e popullsisë pëlqen verën e kuqe ose rozë/e kuqe e lehtë italiane më pak të shtrenjtë. Konsumatorët më të rinj kanë tendencën të pëlqejnë verën e kuqe, të ëmbël italiane me çmim mesatar, ndërsa konsumatorët më të vjetër preferojnë verën e vendit me çmime më të ulëta. Meshkujt beqarë dhe ata me familje të vogla kanë tendencën të pëlqejnë verën e kuqe më pak të shtrenjtë, ndërsa femrat preferojnë verën e vendit me cilësi të lartë dhe janë më shumë të ndjeshme ndaj aromës.
#