E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria: Anuloni vendimet, nuk kemi para për ish-pronarët

Zbulohet letërkëmbimi i qeverisë shqiptare me Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut

Qeveria shqiptare i kërkon Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut të mos ekzekutojë në mënyrë përfundimtare vendimet e fundit të saj, ku u jepet e drejta 13 kërkesave të pronarëve shqiptarë për miliona euro dëmshpërblim financiar për pronat e tyre. Në letërkëmbimin e fundit të Avokatit të Shtetit me Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, kërkohet me ngulm anulimi i këtyre vendimeve, në mënyrë që ato mos të rëndojnë më tej financat e qeverisë shqiptare. “Në emër të qeverisë shqiptare i kërkojmë Gjykatës Europiane që ankimet e përmendura më lart të deklarohen të papranueshme, si dhe të pranohen observacionet e palës shtetërore, duke i adresuar palët ankuese që të përdorin mjetin e brendshëm ligjo efektiv, që do të zbatohet për kompensimin financiar në Shqipëri”, theksohet në letrën e dërguar më datë 16 qershor të këtij viti gjykatës të firmosur nga përfaqësuesi ligjor i palës shqiptare Enkeledi Hajro.

Sipas qeverisë shqiptare, mosekzekutimi i këtyre vendimeve të komisioneve të pronave ka qenë pamjaftueshmëria e të ardhurave në fondin e ish-pronarëve. “Në emër të qeverisë shqiptare dëshirojmë të theksojmë se eventualisht, shkaku kryesor dhe i vetëm i mosekzekutimit të vendimeve të Komisioneve për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave është pamjaftueshmëria financiare e fondit për kompensimin e pronave të ish-pronarëve”, theksohet në letërkëmbimin e qeverisë, duke pranuar pafuqinë për të dëmshpërblyer ish-pronarët. Por kësaj kërkese duket se Gjykata Europiane e Strasburgut do të vendosë në favor të 13 dosjeve të ish-pronarëve, gjë e cila do t’i kushtojë qeverisë shqiptare miliona euro dëmshpërblim të menjëhershëm. Po kështu, mësohet se përveç këtyre vendimeve, Gjykata e Strasburgut ka në proces edhe mbi 300 dosje të tjera për çështjen e pronave. Ekzekutimi i këtyre vendimeve do të sillte probleme të mëdha për buxhetin e vendit tonë dhe një pamundësi të qeverisë shqiptare për t’ju përgjigjur kërkesave të Strasburgut.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›