E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pajtim Bello: U shkel ligji me shitjen e Dajtit

Ish-zëvendësministri i Ekonomisë, Pajtim Bello, thotë se shitja e hotel ‘Dajtit’ është bërë në kundërshtim me ligjin e shitjes së pronës publike. “Shitja e pronës publike bazohet mbi legjislacionin mbi privatizimin. Por në këtë rast kemi privatizim mbi Kodin Civil, që gjen hapësira për të mos bërë ankand”, thotë Bello. Sipas Bellos, ligji është shkelur jo vetëm nga qeveria, por edhe nga Banka e Shqipërisë. “Edhe Banka e Shqipërisë është në shkelje të legjislacionit, sepse ky institucion nuk mund të blejë asgjë pa tender”, u shpreh Bello. Ish-zëvendësministri thotë se ky operacion financiar është i paprecedentë në historinë e shtetit shqiptar. Tri ditë më parë, Banka e Shqipërisë bleu hotel 'Dajtin' nga qeveria me një vlerë prej 30 milionë eurosh, përmes një kontrate shitjeje të drejtpërdrejtë, me kushtin që qeveria të ketë të drejtën e parablerjes nëse banka do ta rishesë. Hotel 'Dajti' u ble nga Banka e Shqipërisë për transferimin e zyrave për sa kohë të rikonstruktohet godina e saj qendrore.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›