Pezullohet ortopedi, hetim për mjekim të pakujdesshëm
Policia nis hetimin në gjendje të lirë për mjekun, i cili u akuzua nga një nënë për mjekim të pakujdesshëm ndaj vajzës së saj. Ditën e djeshme, një grup hetimor ka shkuar në Spitalin Ushtarak, duke marrë kontakt, që nga prindërit e vajzës, e cila u operua në këmbën e gabuar, e deri tek infermierët dhe mjeku, që u kujdesën për të, duke e lënë sërish me këmbë të sëmurë, pasi ndërhynë në këmbën e shëndoshë. Nga ana tjetër, mjeku Gjergji çaushi, me titull prof. dok. është pezulluar nga detyra dhe tashmë pritet të ngrihet akuzë ndaj tij.
Bëhet fjalë për historinë e publikuar në “Shqip” ditën e djeshme, ku denoncohej se një 15-vjeçare, është bërë operim në këmbën e majtë, pavarësisht se sëmundjen e kishte në këmbën e djathtë. Nëna e saj, Edlira Praka, i është drejtuar policisë, duke denoncuar mjekun që kishte kryer këtë mjekim të pakujdesshëm. Kështu, oficerë të policisë gjyqësore dhe prokurorë të Prokurorisë së Tiranës kanë mbërritur në spital në orët e paradites dhe kanë kontaktuar me vajzën e re nga Kuçova, Enxhi Praka. Ajo, në gjendje jo të mirë shëndetësore, por edhe e frikësuar nga e gjithë situata, ku mjekët e shohin ndryshe, ka deklaruar për oficerin e policisë gjyqësore gjithçka kishte ndodhur. Ajo, me ndihmën e nënës dhe babait të saj, që ndihen të shqetësuar e që kanë frikë të flasin nga kjo situatë e krijuar, kanë treguar se gjithçka ka ndodhur më datë 10 të këtij muaji. Atë ditë, Enxhi Praka, 15 vjeçe, ka ardhur nga Kuçova dhe është shtruar në spital. Brenda ditës, ajo është futur në sallën e operacionit. Para se të hynte për ndërhyrje kirurgjikale, ajo ka bërë gjithë grafitë dhe skanerin mbi këmbën e djathtë që kishte sëmundje dhe është bërë gati për t’i dhënë fund vuajtjes. Por, kur është zgjuar nga narkoza, ajo ka parë që më shumë i dhembte këmba e shëndoshë se e sëmura, pasi mjeku kishte operuar këmbën e gabuar. Pasi vajza e re ka treguar historinë e saj, është marrë në pyetje edhe personeli i infermiereve. Ato kanë rrëfyer se çfarë kishte ndodhur, ndërkohë që është kontaktuar edhe me ortopedin Gjergji çaushi. Në përfundim, grupi i punës ka sekuestruar gjithë kartelën mjekësore, bashkë me grafitë për këmbën e vajzës, të cilat janë dorëzuar në prokurori dhe është vendosur që mjeku të hetohet në gjendje të lirë për mjekim të pakujdesshëm. Ka qenë nëna e revoltuar, e cila dy ditë më parë i është drejtuar Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe ka kërkuar të bëjë një kallëzim penal ndaj mjekut. Burimet nga spitali kanë treguar se ajo nuk ka pranuar të pajtohet me ortopedin, që është një mjek i nderuar me titull profesor, por i është drejtuar policisë dhe mësohet se denoncimit e ka bërë pranë organeve përkatëse për veprën penale të mjekimit të pakujdesshëm. Ajo ka shpjeguar gjithë historinë e ndodhur në Spitalin Ushtarak, ku dyshohet se ka ardhur nga neglizhenca. Mjeku do të hetohet për veprën penale të mjekimit të pakujdesshëm, që është i parashikuar në nenin 96 të Kodit Penal. Nëse ndaj ortopedit do të ngrihet akuzë dhe rezulton i fajshëm, atëherë ai rrezikon të dënohet maksimalisht me pesë vjet burg.
#