Pajtimi Kombëtar dhe “pajtimi” sharlatan
17 nëntor 2012. Ceremonia e varrimit në Atdhe të mbretit Ahmet Zogut I në mauzoleumin pranë Pallatit, në maloren e rr. së Elbasanit, në krahun e djathtë, ku rruga fillon e bëhet e sheshtë. Pallati i Brigadave? Le të jemi të drejtë, historikisht. Le ta quajmë në një emër që ta gjykojnë për mbarë, nga pikëpamja historike. Por nuk është assesi pallat i ndërtuar nga marrësit e pushtetit në 17 nëntor 1944, në kohën kur gjermanët kishin marrë udhën e kthimit, me humbjen e luftës. (Pra, edhe emri i Pallatit është abuziv). E do të iknin, edhe pa gjakderdhje.
Njerëzit s’kishin të mbaruar. Flamujt ishin në oborrin e madh të Pallatit; të shumtë, të kudogjendur. Me ardhjen e morisë së vëllezërve kosovarë, dyndja u bë edhe më e madhe. Nuk jam në gjendje të bëj krahasime xhelozish meskine, sepse nuk ishte e mundur të gjendesha edhe në ceremoninë paralele, në varrezat e dëshmorëve, në të cilat ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku i Tiranës, z. Lulzim Basha. Ishte detyra e tij që ta përshëndeste edhe për festën, kur kryeqyteti ynë u boshatis nga okupatori gjerman.
Cekëm flamujt kombëtarë. Edhe këtu, një vëzhgim historik: Të ishte për nostalgjikët, do të duhej t’i kishim flamujt me yllin e kuq, sipër shqiponjës dykrenore (“E, paskëtaj, festat i kemi të përbashkëta” - telegram i E. Hoxhës, dërguar shokut Tito!).Le ta freskojmë kujtesën, në kohën e Tao Taos, kur komunistët në Parlament ngulmuan më gulçima, që të mos hiqej emblema internacionaliste mbi flamur, e importuar nga “bashkim-vëllazërimi!
Kjo dashuri për diktaturën e lënë pas, endé është e gjallë, ndonëse paksá e kamufluar. Por edhe e hapur fare te shkrimet e ca historianëve, që synojnë të na bëjnë diktat sesi duhen bërë festat! Njëri prej tyre, pas tjetërsimit propagandistik të firmave piramidale, që sollën rrëmujën e ’97-s , me vrasje, djegie, e shkatërrime (të propaganduar “na vranë”, “na dogjën”, “na shkatërruan”), e shtyri provokimin gjer në vendosjen e fotos së diktatorit në muret e institucionit të ministrisë së Jashtme, gjë që zgjoi një zemërim të përligjur, në ish-të përndjekurit politikë, që manifestuan për ditë e ditë të tëra kundër këtij sakrilegji. As që donte t’ia dinte historiani-ministër. Gjersa këtë konflikt e zgjidhi zonja Doris Pak, me arsyetimin më të thjeshtë të mundshëm: - Ju pretendoni se jeni një vend demokratik me nostalgjinë për Enver Hoxhën? Fotoja u hoq nga muri, ashtu sikundër ylli i kuq ishte hequr më parë, nga flamuri!
Tani, këta propagandistë të këtij kallëpi, po na thonë se po nderojnë rivarrimin e Ahmet Zogut I, në të njëjtën ditë, më 17 nëntor, për të zbehur festën e çlirimit të Tiranës! E kanë fjalën për 17 nëntorin, kur rrugët e kryeqytetit, u mbushën me më shumë se 40 kufoma rrugëve e rrugicave të kryeqytetit. Ishin intelektualë, njerëz të pakomprometuar, një pjesë luftëtarë kundër okupatorit.
Nga pikëpamja historike, kjo është deshifruar plotësisht. Shulja (Gjen. Kristo Themelko) kishte thënë në plenumin e Beratit se ishte urdhri i E. Hoxhës që të bënim lista të personave të cilët, “edhe se nuk kishin luftuar kundër nesh, mjafton të ishin të dyshimtë”. Sejfullai i kishte quajtur një bandë terroristësh, në atë plenum. “Po të mos jetë me ne, është kundër nesh”.
Kështu u gjetën të vrarë, hedhur rrugëve, Ismail Agë Petrela, që kishte luftuar me armë në dorë, me çetën e tij kundër fashistëve. Ishte pjesëmarrës në Konferencën e Mukjes. Edhe Thoma Orollogai, që nuk u gjet për t’u vrarë në 17 nëntor, një person i respektuar edhe nga nacionalçlirimtarët në Mukje, u vra në një gjyq të shpejtë, pak më vonë, për të shtuar numrin e “armiqve”, sipas përkufizimit të Miladin Popoviçit e të Dushan Mugoshës. Por, a nuk ishin vetë n,çlirimtarët që e kishin propozuar për të drejtuar seancat e Mukjes, Th. Orollogain? Pastaj na dalin edhe pseudohistorianë që e akuzojnë si kolaboracionist që i paskësh dorëzuar kurorën Viktor Emanuelit III! ! Le të gjejnë një foto të vetme. Do ta kishin nxjerrë Orollogain në disa variante, vetë fashistët, për prestigjin e lartë që gëzonte si jurist, në studimet europiane. Mumtaz e Vesim Kokalari, vëllezërit e Musinesë, përfunduan të vrarë në bodrumet e Bristolit. Krejtësisht të pafajshëm. Ishte në listë për t’u asgjësuar edhe i vëllai tjetër, Hamit Kokalari. Musine Kokalari, e motra e tyre, e kaloi tërë jetën burgjeve dhe internimeve. Ndërsa Hamiti, njëri ndër intelektualët më të spikatur të inteligjencies shqiptare, shpëtoi vetëm ishte i sëmurë nga tifua, me temperaturë shumë të lartë.
Nga lista e Bedri Alimehmetit, në veprën e tij “Tirana e Përgjakur”, mund të rendis ata që i kam dëgjuar vetë, për marrëdhëniet e mia të tërthorta me ta: Muharrem Liku, babai i shoferit të Shoqatës së ish-të përndjekurve Politikë, Nebil Çika, gazetar me emër në kohën e monarkisë, Hamid Greblleshi, babai i letrarit të talentuar Mustafa Greblleshi. Lluka Xhumari, komshi në kohën kur jetonim në një barrakë... E kështu lista përfundon me Syrja Kokalarin, Bajram Cakën, Lorenc Rashën. “Tirana e Përgjakur”, siç shkruhet me të drejtë në libër.
A mund të gjendet një rast i vetëm i tillë i Ahmet Zogut I, që të vrasë njerëz pa gjyq e t’i lërë rrugëve të Tiranës, për të mbjellë panik? Valteri e qëlloi me revolver në Parlament dhe Zogu shpëtoi për qimen e flokut. U plagos, mbajti qetësinë, u fashua nga deputeti Dr. Loni Gjini dhe u tha kolegëve në Parlament të vazhdonin punimet.
Dhe është rasti këtu, të themi, se Zogu jetësoi një Pajtim kombëtar të vërtetë. Nga të gjithë kundërshtarët politikë, të fundit u bashkuan me të Fan Noli dhe Mustafa Kruja. Doktor Ibrahim Temo, me prestigj të madh në Bukuresht, si bashkëveprimtar i frashërllinjve dhe si senator në Rumani, në një vizitë që bëri në Shqipëri, mbeti mik i përhershëm i mbretit Shqiptar. Dhe iu afruan Zogut pjesa më e madhe e emigracionit, duke marrë funksionet shtetërore të merituara. Mirash Ivanaj ishte njëri ndër njerëzit më të shquar, si ministër i Arsimit të A. Zogut I.
Le të bëjmë një krahasim me të ashtuquajturin “pajtim” të të përkëdheklurit të nostalgjiëkve tanë, Rexhep Qoses. U bë një tryezë pajtimi, por ish-të përndjekurve u ofruan bishtin e tavolinës. Kjo është ana formale, mund të gëlltitej. Por nostalgjikët nuk pranuan të kërkojnë ndjesë për krimet e diktaturës. Kuptohet se tavolina mbeti me gjysmën e tyre. E neveritën këtë lloj “pajtimi”. Përse nuk e bënë? Se kishin prapamendime, që të vazhdonin provokimet kundër demokracisë. Në atë mori njerëzish për të nderuar kujtimin e Ahmet Zogut I, të pranishmit që prisnin radhën, ishin në dijeni sesi të sapoardhurit në fuqi, i vunë dinamitin mauzoleumit të Nënës Mbretëreshë. Por ka më shumë: Mermeri u zhvat, për t’u përdorur për Stalinin dhe për kriminelë të tjerë kundër demokracisë! Dikush na bëri një supozim interesant: Sikur mbreti dhe Enveri të kishin tipare të ndërruara, domethënë me hamendësimin që i pari të ishte si i dyti dhe anasjellas, çdo të bënte ai me këtë të dytin, që la mësimet në Monpelié dhe bëri skandale në Bruksel?
Pra, Pajtimi kombëtar nuk bëhet dot me mllefet e tryezës alla Rexhep Qosja! Historia e indoktrinuar nuk mund të ketë jetëgjatësinë që dëshirojnë ata që e përdhosën të vërtetën historike. Për ta mbyllur, pa e zgjatur më tej, zgjuan interes të madh fjalët e presidentes kosovare dhe ato të presidentit tonë. Ato fjalë tw goditura kërkojnë trajtim më vete.