E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pak përpjekje për shtim të punësimit sezonal jashtë Kosovës

Autoritetet në Prishtinë kanë përfunduar përgatitjet për punësim sezonal në shtetin e Gjermanisë, pasi Kosova që nga viti 2004 ka të realizuar vetëm me këtë shtet marrëveshje për punësim sezonal.Hafiz Leka, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, bën të ditur se deri në fund të qershorit rreth 118 studentë do të udhëtojnë për punësim sezonal në Gjermani. Sipas tij, ka numër të madh të studentëve që interesohen për këtë projekt, por kriteret e autoriteteve gjermane janë të vështira për zbatim. Që nga koha e zbatimit të këtij projekti kanë përfituar 1 600 studentë.

“Gjatë këtij viti kanë aplikuar rreth 300 studentë, prej tyre janë përzgjedhur 118, sepse kriteret janë shumë rigoroze. Studenti duhet të ketë statusin e studentit të një universiteti, qoftë privat apo publik, duhet ta njohë gjuhën gjermane, nuk duhet të ketë ndonjë dosje kriminale apo dosje tjetër që ka rënë ndesh me ligjet gjermane, por ne nuk kemi pasur raste të tilla. Deri më tani ne nuk kemi pasur asnjë incident gjatë procesit të zhvillimit të këtij programi me qeverinë”, bën të ditur Leka për Radion Evropa e Lirë.

Studenti Amir Latifi thotë se pas përfundimit të këtij viti akademik me dëshirë do të shkonte në ndonjë shtet të BE-së për të punuar deri në muajin tetor.

“Nëse Kosova bën ndonjë marrëveshje si në vitet e mëhershme, siç thonë në vitet '80, për punësim sezonal, me dëshirë do të shkoja. Sipas marrëveshjes unë kisha punuar, kisha fituar disa mjete materiale dhe do të isha kthyer në Kosovë”, thotë Amiri.

Edhe ekspertë të ekonomisë konsiderojnë se punësimi sezonal është i mirëseardhur për të gjithë banorët e aftë për punë.

Naim Gashi thotë se Kosova nuk është duke fituar nga punësimi sezonal që ofrojnë vendet e BE-së, sidomos në sektorin e bujqësisë.

“Shtete si Spanja, Italia, Franca dhe vende të tjera punësojnë miliona punëtorë sezonalë brenda një viti. Unë mendoj se me heqjen e vizave kosovarët do të kenë një qasje më të lehtë në tregjet e punësimit sezonal në BE dhe kjo do të ndikonte sadopak në zbutjen e shkallës së lartë të papunësisë që tash ekziston në Kosovë”, vlerëson Gashi.

Autoritetet kosovare, përveç me Gjermaninë, nuk kanë arritur asnjë marrëveshje të re me ndonjë nga shtetet e BE-së për punësim sezonal.

Arritja e marrëveshjeve të tilla është proces i vështirë, thotë Hafiz Leka, pasi Kosova nuk është anëtare e BE-së.

“Është bërë një hap, edhe pse po kemi barriera ndërshtetërore, sepse Kosova ende nuk është njohur nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Kosova ende nuk është nënshkruese e marrëveshjes për bashkëpunim, sa i përket fleksibilitetit të forcës së punës në Evropë. Mirëpo, tash për tash, mund të them se e kemi bërë një hap modest, të vogël në këtë drejtim”, thekson Leka.

Sipas Naim Gashit, institucionet kosovare duhet të angazhohen më shumë në këtë proces.

“Sidomos Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila duhet të shtojë përpjekjet e saj për të biseduar jo vetëm me qeveri të shteteve anëtare, por duhet shfrytëzuar edhe misionet diplomatike, ambasadat e vendeve të BE-së dhe vendeve të tjera në Kosovë, për të rritur numrin e punësimeve sezonale”, tha ai.

Sipas regjistrimit të popullsisë, ku tregohen edhe shifrat e papunësinë, nga 508 100 banorë të aftë për punë, 44.9 për qind e tyre janë të papunë./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›