E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paketa Blushi: Kryetari humbës të largohet nga drejtimi partisë

Kur duhen edhe dy javë që socialistët të mblidhen në kongresin e tyre të jashtëzakonshëm, kandidati potencial për të marrë drejtimin e Partisë më të madhe opozitare Ben Blushi, ka bërë publike një paketë propozimesh që synon ndryshime rrënjësore në statutin e partisë. Paketë me 10 pika sipas propozimeve të Blushit mendohet t’ia kthejë frenat e drejtimit të partisë, t’ia kthejë anëtarësisë duke minimizuar rolin e kryetarit, që aktualisht e ka centarlizuar pushtetin në duart e tij.
Këto janë konkretisht propozimet e paketës Blushi:
1. Të forcohet roli i Kongresit të PSSH-së duke e bërë përbërjen e tij më përfaqësuese e të balancuar dhe duke i dhënë atij fjalën e fundit ë miratimin e programit elektoral dhe kandidatëve të PSSH-së në zgjedhjet lokale apo të përgjithshme.

2. Të pasurohet përbërja e Asamblesë Kombëtare, duke gjetur një ekuilibër mes prurjeve të reja në parti dhe njerëzve të mandatuar në Kuvend dhe në bashki e komuna për të përfaqësuar më mirë territoret, komunat, bashkitë, të zgjedhurit lokalë dhe qendrorë.

3. Të zgjerohen asambletë e bashkive/komunave duke i dhënë të drejtë anëtarësisë të zgjedhë sipas parimit ‘një anëtar një votë’, një të tretën e anëtarëve të tyre.

4. Të krijohen kryesitë e asambleve të komunave/bashkive, mungesa e të cilave ka dobësuar kolegjialitetin dhe rolin drejtues në nivelin lokal.

5. Të forcohen funksionet e Këshillit Socialist të Rrethit dhe autonomia e tij, duke u dhënë atyre kompetencën e zgjedhjes me votë të lirë sekretarin e Këshillit Socialist të Rrethit duke shmangur ndërhyrjen e Kryesisë së PSSH-së.

6. Të zgjerohet dhe forcohet roli i Konferencave Socialiste të Qarqeve të cilat duhet të shprehen për kandidatët për deputetë, për drejtuesit e njësive vendore, për anëtarët e ASK-së si dhe ë zgjedhin me votim të lirë Sekretarin Rajonal.

7. T’i jepet e drejtë anëtarësisë së komunës të përcaktojë sipas parimit ‘një anëtar një votë’ kandidatin për kryetar të njësisë vendore.

8. Të ndalohen me statut rastet e shkarkimit të drejtuesve të strukturave vendore të partisë me vendim të Kryesisë së PSSH-së, por të zbatohen parimet e demokracisë së brendshme përmes instrumentit të mocionit nga organi që e ka zgjedhur atë.

9. Të përcaktohet në statut detyrimi i kryetarit të PSSH-së për të kandiduar në listën e deputetëve të PSSH-së në rastin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

10. Të sqarohet përfundimisht në statut çështja e rikandidimit të kryetarit të PSSH-së në rast të humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme.

Këto propozime, do t’i paraqiten kongresit për miratim dhe nëse delegatët socialistë do t’i japin OK paketës Blushi, mendohet se këto ndryshime që kërkohen t’i bëhen statutit do të ndikojnë në përmirësimin e mënyrës së drejtimit dhe funksionimit të Partisë Socialiste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›