E Diel, 1 Nëntor 2026

Paketa Fiskale 2026 pa rritje taksash, Malaj: Kompensim i TVSH për fermerët dhe ulje e barrës tatimore

Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi Paketën Fiskale 2026, të cilën e përshkroi si një instrument zhvillimi ekonomik dhe mbështetjeje për qytetarët e bizneset. Ai theksoi se paketa nuk synon rritjen e taksave, por thjeshtimin dhe rritjen e eficiencës së sistemit fiskal.

“Kemi një paketë fiskale e cila ofron disa lehtësira tatimore, e cila na mundëson ne që të bëjmë një pastrim të atyre detyrimeve, borxheve tatimore dhe doganore të cilat janë në pamundësi për tu mbledhur ose që janë parashkruar”, u shpreh Malaj.

Një nga shtyllat kryesore është “Paqja Fiskale”, që përfshin marrëveshje vullnetare për rregullimin e detyrimeve dhe faljen e borxheve tatimore për subjektet që nuk janë nën hetim penal. Paketa parashikon gjithashtu mbështetje të zgjeruar për bujqësinë, përmes kompensimit të TVSH-së dhe fondeve shtesë për fermerët.

“Për sa i përket çështjes së borxhit se kush përfiton nga kjo paqe, përfitojnë rreth 202 mijë tatim pagues. Megjithatë kemi të bëjmë me detyrime ku një pjesë e mirë e tyre mbi 60% ju përkasin tatimpaguesve të cilët nuk ekzistojnë më, sepse ose janë në status pasiv ose janë të çregjistruar”, tha ai.

Masa të reja janë propozuar për reduktimin e pagesave cash dhe nxitjen e transaksioneve elektronike, veçanërisht në turizëm dhe transport. Gjithashtu, prindërit me fëmijë nën 18 vjeç do të përfitojnë zbritje të reja në DIVA, duke ulur barrën tatimore për familjet shqiptare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›