E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti 2026, rritet fondi për policinë me 17%, planifikohet burg i ri në Kukës

Komisioni Parlamentar për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, i drejtuar nga Bledar Çuçi, zhvilloi sot seanca dëgjimore intensive me tre institucione kyçe të sigurisë lidhur me Projektbuxhetin e Shtetit për vitin 2026.

Në fokus ishin Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Policia e Shtetit, rritje buxhetore dhe projekti “Smart City”

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, bëri të ditur se buxheti i parashikuar për vitin 2026 arrin në 29.6 miliardë lekë, duke shënuar një rritje të ndjeshme prej 2.8 miliardë lekë, ose rreth 17% në raport me vitin 2025.

Proda theksoi se 67% e buxhetit total, ose 19.9 miliardë lekë, shkon për shpenzimet e personelit (paga dhe sigurime). Për investime kapitale janë parashikuar 2.2 miliardë lekë, një rritje prej 21.7%.

Projekti më i rëndësishëm i vitit të ardhshëm është investimi me financim të huaj “Smart City” në masën 2.2 miliardë lekë. Z. Proda sqaroi se kontrata pritet të mbyllet brenda muajit Janar 2026, dhe sistemi do të jetë funksional brenda një afati 18-mujor.

Drejtoria e Burgjeve: Burgu i ri në Kukës

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, informoi se buxheti për sistemin e burgjeve për 2026 do të arrijë në 9.76 miliardë lekë, një rritje prej 400 milionë lekësh.

Prioritetet kryesore të investimeve kapitale (518 milionë lekë) janë:

Ndërtimi i burgut të ri në Kukës.

Përmirësimi i infrastrukturës në 9 Institucione të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP).

Rikonstruksioni i IEVP Fushë-Krujë (118 milionë lekë).

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP)

Drejtori i Përgjithshëm i AMP, Eduard Merkaj, prezantoi buxhetin e parashikuar në shumën 396 milionë lekë, i cili do të shërbejë për shërbimet e personelit, pagat dhe sigurimet shoqërore, si dhe për shpenzimet e tjera operacionale dhe investimet kyçe për arritjen e objektivave të Agjencisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›