E Hënë, 2 Nëntor 2026

Reshje të dendura dhe rrezik përmbytjesh, Ministria e Mbrojtjes: Bashkitë të marrin masa urgjente

Ministria e Mbrojtjes ka paralajmëruar përkeqësim të ndjeshëm të motit gjatë kësaj jave, me reshje të dendura shiu që pritet të përfshijnë disa qarqe të vendit, duke shtuar rrezikun për përmbytje.

Sipas njoftimit zyrtar, sot dhe nesër pritet të ketë reshje intensive deri shumë intensive në Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa reshje intensive do të bien në Lezhë, dhe mesatare deri intensive në Dibër, Durrës dhe Tiranë. Shtrëngatat e forta mund të shkaktojnë vërshime të shpejta, rrëshqitje dherash dhe përmbytje të lokalizuara urbane.

Gjithashtu, paralajmërohet rritje e konsiderueshme e prurjeve në lumenjtë kryesorë të vendit, përfshirë Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin dhe Vjosë, çka mund të rrisë rrezikun e daljes së tyre nga shtrati.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u kanë kërkuar bashkive dhe strukturave vendore marrjen e masave urgjente, duke përfshirë:

  • Njoftimin e popullsisë, blegtorëve dhe bizneseve të rrezikuara;
  • Kontrollin dhe zhbllokimin e kanalizimeve dhe pusetave;
  • Vendosjen në gatishmëri të hidrovorëve dhe sistemeve të ujësjellës-kanalizimeve;
  • Sigurimin e furnizimit me energji;
  • Monitorimin e vazhdueshëm të niveleve të ujit dhe organizimin e evakuimeve preventive, nëse është e nevojshme.

Autoritetet apelojnë qytetarët të tregojnë kujdes, të shmangin lëvizjet në zonat me rrezik dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›