E Diel, 1 Nëntor 2026

Paketa Fiskale 2027/Pragu tatimor në 5 milionë lekë, sfidë për biznesin e vogël

Ndryshimet e propozuara në Paketën Fiskale 2027 pritet të rrisin barrën tatimore për biznesin dhe të vështirësojnë procesin e mbledhjes së detyrimeve nga administrata tatimore, vlerëson eksperti Avni Tobli.

Sipas tij, ulja e pragut të përgjegjësisë tatimore në 5 milionë lekë do të sjellë ndryshime në mënyrën e ushtrimit të aktivitetit.

“Nëse implementohet ashtu siç është parashikuar, kjo paketë do të bëjë që mbi 25 mijë, ose rreth 30 mijë biznese, të kalojnë në regjimin e TVSH-së”, u shpreh eksperti.

Eksperti paralajmëron gjithashtu se ndryshimet mund t’i shtyjnë disa tatimpagues të shfrytëzojnë hapësirat ligjore për të shmangur detyrimet tatimore.

“Nëse janë dy ose tre anëtarë të së njëjtës familje dhe biznesi i tyre familjar e kalon pragun për t’u përfshirë në skemën e TVSH-së, atëherë do të kemi hapje të NIPT-eve të dyta”, tha ai.

Një tjetër problem, sipas Toblit, është ndryshimi i shpeshtë i legjislacionit fiskal

“Në kushte normale nuk do të kishim ligji që akoma pa pa u miratuar, pa filluar implementimi të fillojë ndryshimi i tyre”, tha Tobli.

Ndërsa ndryshimet fiskale parashikohen ne rritje, ulja e TVSH-së për produktet e shportës per ekspertin shihet si një masë me ndikim pozitiv për qytetarët, përmes uljes së kostos së produkteve bazë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›