Paketa e Maleve, 82 kërkesa në bashkinë e Maliqit

82 kërkesa janë kryer nga qytetarë të bashkisë së Maliqit për Paketën e Maleve. Lajmi është bërë i ditur nga krye bashkiaku i Maliqit, Gëzim Topçiu i cili thotë gjithashtu se portali për aplikim vijon ende të jetë i hapur për të gjithë qytetarët që kanë interes për të aplikuar dhe për të përfituar nga kjo mundësi.
Nga ana e saj Bashkia ka propozuar për tre zona zhvillimore në territorin e Maliqit, propozim i cili i është dërguar Ministrisë së Pushtetit Vendor.
“Nga 82 kërkesa në portalin përkatës, të paketës së maleve do të thotë se është një numër i konsiderueshëm kërkesash, por portali është ende i hapur, ne i kemi shpallur zona të hapura zhvillimore”, tha Topçiu.
Për të përfituar nga paketa e maleve qytetarët duhet të kenë tokën e tyre dhe duhet të shprehin interesit pranë portalit përkatës për aplikim.
Nëpërmjet kësaj pakete poseduesit jo pronarë do të regjistrohen ligjërisht pas një verifikimi të thjeshtuar nga bashkia, dhënia e pronësisë do të kryhet me një çmim simbolik prej 1 euro për ata që kanë një plan zhvillimi dhe e marrin lejen përkatëse, gjithashtu paketa parashikon përjashtim nga disa taksa për 10 vjet për 500 aplikuesit e parë, si dhe synon që toka e mbetur e pashfrytëzuar të kthehet në një burim aktiv të zhvillimit lokal.
/rtsh.al/