E Diel, 1 Nëntor 2026

Magjia e vjeshtës në Gjirokastër, destinacion i preferuar në çdo stinë, pritshmëritë janë të larta

Edhe pse jemi në muajin nëntor  dhe temperaturat janë ulur ndjeshëm, Gjirokastra vijon të mbetet një ndër destinacionet më të preferuara për t’u vizituar. Turistë vendas dhe të huaj shëtisin çdo ditë në pazarin karakteristik, vizitojnë kalatë, muzetë dhe shtëpitë muze që e bëjnë qytetin një mozaik të gjallë historie e kulture.

“Gjirokastra është një nga vendet më të bukura që kam vizituar në Shqipëri. Çdo cep ka një histori, dhe njerëzit janë shumë të dashur. Kombinimi i arkitekturës së vjetër me pamjen e maleve është mahnitëse”, u shpreh një turiste.

“Më pëlqen shumë atmosfera këtu, sidomos në vjeshtë”, tha nja tjetër turist.

Sipas përgjegjëses së sektorit të turizmit në Bashkinë Gjirokastër, Alesia Llapaj numri i vizitorëve ka qenë i qëndrueshëm edhe gjatë muajit nëntor, çka tregon se sezoni turistik në qytetin e gurtë tashmë po zgjatet.

“Shifrat janë pozitive me një rritje prej 15 % duke e krahasuar me sezonin e kaluar, si në muzetë që janë nën administrimin e bashkisë por edhe në të gjithë territorin e bashkisë Gjirokastër”, tha Llapaj.

Vjeshta në Gjirokastër nuk sjell vetëm ngjyra, por edhe vizitorë që duan të përjetojnë qetësinë, historinë dhe bukurinë e qytetit të gurtë në një atmosferë krejt ndryshe nga ajo e verës.

Gazetare: E. Domeri

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›