E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Paketa e Maleve”, Rama: 500 përfituesit e parë s’paguajnë taksa për 10 vite

TIRANË, 24 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama i bëri apel sot sipërmarrësve të rinj të investojnë në agroturizëm dhe agropërpunim, teksa theksoi se “edhe pse ligji që kemi kaluar me emrin “Paketa e maleve” i referohet në radhë të parë maleve, në tërësi është një ligj që i referohet territoreve të brendshme të vendit, që do të thotë edhe territoreve brenda gjithë rajonit Sarandë ku përfshihen Delvina, Konispoli, Finiqi dhe ku ka një potencial të madh për të investuar”.

Në takimin e zhvilluar në Sarandë me sipërmarrës të rinj të kthyer në Shqipëri, Rama tha se “500 të parët që do të futen në aplikim për “Paketën e Maleve” për të zhvilluar një pronë për agroturizëm, për agropërpunim ose për çfarëdo zhvillimi tjetër që kërkon një investim, po kryesisht për agroturizëm do të ketë një periudhë 10 vjeçare pa asnjë taksë dhe TVSH do të jetë vetëm 6%. I 501 pastaj do paguaj taksën normalisht si paguani edhe ju në hotelet tuaja. Shikojeni këtë si mundësi”.

“Kini parasysh që në ligjin me emrin “Paketa e maleve” e para edhe pse këtu është pak më ndryshe, jo komplet ndryshe, mjafton një dëshmi e miratuar nga këshilli bashkiak sa i përket pronës që mund të mos ketë hipotekën për shkaqet që ne i dimë që lidhen me 7501, mjafton ajo dëshmi për të bërë menjëherë marrëveshjen me shtetin, për të marrë lejen e ndërtimit dhe për të filluar investimet”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “marrëveshja bazohet tek një transaksion simbolik me një euro, ndërkohë që ajo pronë është e jotja ose e atij me të cilin ke bërë marrëveshje për investimin dhe kur mbaron investimi, prona është e jotja e hipotekuar. Çdo problematikë që me gjasë mund të lindë më pas s’ka lidhje me ty, por e trajton shteti me këdo që mund të dalë si pretendent”.

Rama vuri në dukje se Shqipëria është vendi ideal për të investuar.

Më tej, Rama tha se “jam 100% dakord që kur shkon jashtë ka disa gjëra që janë të stabilizuara, por nga ana tjetër horizonti nuk është i hapur, ndërsa këtu mund të ketë disa gjëra që nuk janë të stabilizuara, por horizonti është i hapur dhe si e tregon historia e secilit  për ata që kanë ide, vizion, kurajo Shqipëria është vendi ideal për të investuar sepse të jep mundësinë që pastaj të fitosh shumë më tepër se duke qëndruar jashtë e të punosh për të tjerët”.

“Sot juve në strukturat tuaja jepni paga që janë 100% konkurruese me pagat e Greqisë për të njëjtat punë”, tha Rama.

/k.s//a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›