E Diel, 1 Nëntor 2026

Paketa e Maleve, miratohen zonat prioritare në 9 bashki

TIRANË, 19 mars /ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, pas mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, bëri me dije miratimin e 9 vendimeve të reja që lidhen me caktimin e zonave prioritare në kuadër të “Paketës së Maleve”, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë malore në vend.

Me këto vendime, numri i bashkive që kanë miratuar zonat prioritare zhvillimore arrin në 25, ndërsa në total janë tashmë 205 zona prioritare të miratuara në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, duke konsoliduar një hartë të qartë ndërhyrjeje për zhvillimin ekonomik në zonat malore.

Bashkitë për të cilat u miratuan sot vendimet përkatëse janë: Berat, Vlorë, Kavajë, Durrës, Dimal, Mirditë, Himarë, Librazhd dhe Rrogozhinë.

Demo tha se “bashkitë të cilat tashmë i kanë të miratuara zonat prioritare, janë në fazën e publikimit të të gjitha kërkesave, të cilat kanë kaluar filtrat e kontrollit nga vetë bashkitë”.

Sipas tij janë duke u ezauruar afatet 45-ditore dhe pas ezaurimit të afateve, “do të kemi miratimin nga këshillat bashkiakë, nga vetë bashkitë, sa i përket aplikimeve të suksesshme”.

“Paketa e Maleve po ecën me një shpejtësi të konsiderueshme duke marrë në konsideratë që tashmë mbi gjysmën e bashkive e kemi kaluar nëpërmjet zonave prioritare dhe do të vijojmë dhe në javët në vijim të miratojmë zonat prioritare për bashkitë të cilat kanë mbetur akoma dhe janë duke u trajtuar për zonat prioritare”, tha Demo.

I pyetur në lidhje me Komisionin e Posaçëm për Reformën Territoriale, Demo tha se e rëndësishme është të krijojmë qasjen e duhur në mënyrë që të kemi bashki më të forta nesër.

Ai u shpreh besimplotë që komisioni do të bëjë punën e tij dhe shtoi se “mazhoranca ka papërgjegjësinë për të ofruar zgjidhje dhe për të çuar para reformën”.

“Ne jemi po ashtu shumë të hapur që kjo të jetë një reformë e cila përfshin brenda vetes të gjitha palët dhe komisioni i posaçëm realizon këtë gjë”, tha ai.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, foto: Florian Abazaj 1 nga 2

/m.q/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›