Paketa e Ramës për protestat, avokati Redi Ramaj: Diktatoriale, kërkon të shtypë revoltën! Nëse aprovohet, GJK do ta hedhë poshtë, nuk ka asnjë masë për policë që rrahin minorenë
Avokati Redi Ramaj komentoi në News24 paketën e Ramës për tubimet pas revoltave studentore. Ramaj e cilëson atë si një mekanizëm diktatorial për të shtypur protestën.

Sipas tij, nëse ajo aprovohet do hidhej poshtë nga Gjykata Kushtetuese apo ajo Europian e të Drejtave të Njeriut. Ndërkohë që shton, se nuk ka asnjë masë, paketë apo përgjegjësi për ata policë që rrahin minorenë apo qytetarë paqësorë.
Redi Ramaj: Gjoba ndaj atyre që marrin pjesë në tubim, apo për thirrjet e policisë për shpërndarje të turmës janë abuzime dhe nonsense ligjore. Bëhen në një moment të nxehtë dhe kryeministri ka interesin që mos të kemi protesta e studentëve që po zhvillohen. Po kërkon të shtypë protestat apo të gjejë mekanizëm ligjore. Mekanizmi është diktatorial dhe shtypës dhe nuk bëhet në këtë situatë.
Nëse konkretizohet në paketë ligjore që do prekë nenin 47 të kushtetutës mendoj se do jetë subjekt i goditjes nga Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut. Çdo qytetar ka të drejtën të marrë pjesë në tubime. Nëse kryhen veprime të dhunshme janë përgjegjësi individuale dhe nuk lidhen me represionin policor mbiu të drejtën për të marrë pjesë në tubime. Njësoj siç është përgjegjësi e atyre policëve që kanë rrahur minorenë dhe kanë dhunuar qytetarë që kanë marrë pjesë paqësisht. Mendoj se është një propagandë e kryeministrit momentale për të kaluar një situatë të vështirë. Rrit pakënaqësinë qytetare dhe rrit rrugën e autoritarizmit dhe mbledhjes në një dorë, të kryeministrit.